Gazeta Si – Më shumë se 65 milionë euro janë sekuestruar apo konfiskuar si asete nga krimi, duke rezultuar si shifra më e lartë e arritur ndonjëherë brenda një viti.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu publikoi bilancin e bërë gjatë vitit 2025 falë bashkëpunimit të Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe BKH.
“Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, me një vlerë totale mbi 6 miliardë lekë. Deri pak vite më parë, nuk kemi pasur një kuadër ligjor i cili të na mundësojë një trajtim ndryshe apo një trajtim që i jep mundësi që këto pasuri të sekuestruara apo konfiskuara të transferohen tek ata që kanë nevojë, tek viktimat e krimit, familjet dhe ata që kanë vuajtur më shumë pasojat e këtyre veprimeve. Kemi 65 mln euro asete dhe pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara, që do të administrohen për nevojat e komuniteteve. Është një nga sfidat më të larta që kemi pasur mundësi t’i heqim nga duart e krimit”, – u shpreh Koçiu.
Gjatë konferencës për shtyp, ministrja tha se është krijuar baza ligjore për transferimin e pronave të konfiskuara në pushtetin vendor për strehimin e personave në nevojë, si dhe për ngritjen e qendrave sociale apo rezidenciale për viktimat e dhunës, krimit dhe trafikimit.
Ajo deklaroi se do të ketë larmishmëri se si asetet e sekuestruara nga krimi do të përdoren në të mirë të komunitetit.
Koçiu njoftoi gjithashtu hapjen e një thirrjeje publike për organizatat e shoqërisë civile dhe OJF-të, me qëllim përfitimin e aseteve të konfiskuara për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve.
Ministria e Punëve të Brendshme shtoi ministrja, po punon për të zgjeruar këtë mekanizëm, duke synuar financimin e projekteve për të rinjtë, veçanërisht për ata që janë dëmtuar apo shfrytëzuar nga krimi, me fokus fuqizimin, rehabilitimin dhe largimin e tyre nga rrugët e paligjshmërisë. Mes atyre që do të përfitojnë janë edhe familjet e dëshmorëve të policisë.
Gjatë konferencës, Koçiu, njoftoi se rreth 720 punonjës të policisë, do të përfitojnë rritje pagash, sipas një fondi të parashikuar në buxhetin e vitit 2026.
Sipas saj, masa synon të shpërblejë efektivët që shërbejnë në vijën e parë të rrezikut dhe të mbajë në sistem punonjësit më të kualifikuar.
Rritja prek tre struktura kryesore: RENEA, forcat kombëtare të sigurisë dhe ato operacionale. Pas ndryshimeve, një inspektor në RENEA pritet të marrë rreth 1600 euro, ndërsa drejtuesit deri në 2300 euro.
Në forcat operacionale, paga për inspektorët arrin rreth 1200 euro, ndërsa për komisarët 1600–1700 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje