Ekonomisti i Palermos, Fabio Petruzzella, i arrestuar me akuzën e pastrimit të parave në bashkëpunim me Rezart Taçin, si dhe krahu i djathtë menaxherit të parave të mafies italiane, Francesco Zummo, mbetet në burg.
Kështu ka vendosur Gjykata e Rishqyrtimit të Prokurorisë së Palermos, duke konfirmuar “arrestin me burg” për Petruzella-n dhe duke hedhur poshtë kërkesën për ‘arrest shtëpiak’ të avokatëve të tij.
Fillimisht ekonomistit iu caktua ‘arrest shtëpie’ për një akuzë, por për atë kryesore, u konfirmua masa e paraburgimit, ndaj Petruzzella do të vijojë të qëndrojë në qeli.
Kontabilisti u arrestua së bashku me Francesco Zummo-n, një biznesmen 90-vjeçar nga Palermo, i cili është i dyshuar dhe partner i ish-kryebashkiakut mafioz Vito Ciancimino, i cili gjithashtu u akuzua për pastrim parash të rënduar nga Prokuroria e Palemos.
Petruzzella, krahu i djathtë i biznesmenit të ndërtimit, dyshohet se ka ndihmuar që të zhdukeshin 19 milionë euro nga konfiskimi i një llogarie bankare në Tiranë.
Në hetim është përfshirë edhe një grup shqiptarësh që dyshohet se kanë ndihmuar Zummo dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet e tyre financiare, ku spikat emri i biznesmenit të naftës, Rezart Taçi.
Ndërsa ky i fundit është shpallur në kërkim dhe ndodhet në arrati, ndaj kunatit dhe ish-truprojës së tij në Tiranë, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”.
Zummo, 90 vjeç, cili u dënua në shkallën e parë me 5 vjet për pastrim parash dhe më pas u lirua në Apel, në vitin 2001 iu sekuestruan pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro nën dyshimin se bashkëpunonte me organizatën mafioze “Cosa Nostra”.
Ndërkohë, avokatët e Petruzzella-s, kanë theksuar se do ta apelojnë vendimin e gjykatës për lënien e klientit të tyre në burg.
“Akuza të ridimensionuara dhe masë disproporcionale, do të apelojmë në Kasacion. Gjykata Shqyrtuese përjashtoi qëllimin lehtësues të organizatës mafioze dhe, – shkruante në një shënim Roberto Tricoli dhe Luigi Miceli që asistojnë Petruzzella-n,- për rrjedhojë ka pabazueshmërinë totale të çdo hipoteze të bashkëpunimit me krimin e organizuar. Fatkeqësisht, doktor Petruzzella mbetet në burg, pavarësisht se masa maksimale e shtrëngimit ishte zbatuar kryesisht mbi vullnetin e pretenduar për të favorizuar mafien, tashmë të përjashtuar përfundimisht”.
Sipas tyre, “ndalimi parandalues mbetet i lidhur ekskluzivisht me krimin e pastrimit të parave, të cilin ne e konsiderojmë teknikisht inekzistent, edhe në dritën e deklaratave të bëra në këtë pikë nga klienti ynë. Ne presim depozitimin e motivacionit, për të kuptuar arsyet se përse zvogëlimi i ndjeshëm i hipotezës fillestare të akuzës të miratuar nga gjykatësi, nuk ka sjellë zëvendësimin e masës së paraburgimit”, – thanë ata.
Fabio Petruzella u arrestua së bashku me sipërmarrësin Francesco Zummo në Itali për riciklimin ndërkombëtar të pastrimit të 19 milionë euro në një filial të “Alpha Bank” në Tiranë.
Ishin përgjimet e SPAK ato që zbuluan përfshirjen e Rezart Taçit, ku më 6 tetor 2021, ai i thotë Francesco Zummos se paratë ia garantonte me asetet e tij, duke i kërkuar të kishte besim pas hapjes së llogarisë më 18 qershor në Mal të Zi e në Tiranë.
Nga hetimet e SPAK, kunati I Taçit, Artur Balla dhe ish-truproja e tij, Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Zummo dhe Petruzzella të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre.
Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili i ka mohuar akuzat dhe është shprehur i gatshëm të dalë para drejtësisë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.