Ditën e parë që Covid e sulmoi ishte duke u rehatuar në zyrën e punës. Sapo mbështeti çantën në tavolinën e punës, ndjeu një trysni, presion, dhimbje në gjoks. Një formë shtypjeje e shoqëruar nga dobësi dhe mungesa e fuqisë dhe dëshirës për të punuar.
“Nga ai moment e deri më sot, 7 muaj më vonë ka qenë një makth. Një tatëpjetë drejtë zbrazëtisë”. Kjo është historia e Maddalenas, një grua 44-vjeçare, menaxhere e suksesshme në një prej kompanive më të mëdha të Lompardisë, në Itali.
Suksesin ja detyronte punës edhe përtej orarit zyrtar. Ishte në gjendje që të qëndronte në zyrë dhe të ishte efikase e produktive në punë deri në 12 orë në ditë. Frekuentonte palestrën dhe ishte një mbështetëse e jetesës së shëndetshme, larg veseve dhe e moderuar në konsumimin e pijeve dhe ushqimeve që i vlerësonte të dëmshme për të.
Nënë e dy fëmijëve, sot Maddalena vijon rutinën e saj mes kolltukut, kopështit të shtëpisë, supermarketit dhe shtratit. Punon nga shtëpia, ku edhe po ndjek një kurë fizikë dhe psikologjike për të tejkaluar Covidin e zgjatur.
Maddalena e mban mend mirë ditën e parë kur u godit nga virusi. “Ishte e martë rreth shtatë muaj më parë. Mbaj mend se atë ditë më duhej të merresha me bilancet dhe kisha në tryezë një tufë me dokumente të rëndësishme, që u kisha hedhur një vështrim në shtëpi. Atë ditë u përshëndeta me dy fëmijët e mi me premtimin se pas pune do t’i çoja te gjyshja. Por, Covid kishte plane të tjera dhe ajo që u thashë fëmijëve ishte një gënjeshtër e madhe”, kujton sot ajo në një intervistë për La Repubblica.
Ndjesia e parë që thotë se provoi, veç dhimbjeve e shtypjes në kraharor ishte amullia. “U çorodita dhe ende sot jam e çoroditur. U shërova nga infeksioni, por jo nga pasojat e tij. Nuk përqëndrohem dot edhe për punët më elementare e të thjeshta”, tregon ajo.
Kujton se atë ditë e kuptoi se diçka po ndryshonte, por as që i kishte shkuar në mendje se sa rrënjësor do të ishte ky ndryshim.
“U izoloi për një muaj. Më këshilluan që të kurohesha në shtëpi, meqenëse nuk kisha vështirësi nën frymëmarrje. Më thanë një listë me ilaçe dhe kështu bëra. Temperaturën e kisha 38 gradë, ndjehesha e pafuqishme, por fatmirësisht nuk kishte probleme me frymëmarrjen”, kujton Maddalena.
“Mendoa se do ta kaloja shpejt. Isha goxha optimiste dhe kisha të drejtë. Edhe me ndihmën e mjekut të familjes dhe kurës që ndoqa infeksionin e largova. Por, nuk e dija se nga ky moment po hapej një kapitull i ri; pasojat afatgjata të Covid”, shton 44-vjeçarja italiane.
Për ta kuptuar më mirë gjendjen që po kalon, Maddalena i thjeshton gjërat. “Më ndodh që nuk mbaj mend fjalëkalimet e kompjuterit, edhe pse mund ta kem vendosur këtë fjalëkalim pak orë më parë. Harroj edhe procedurat standarde të punës, që më parë i bëja mekanikisht e i dija përmendësh”.
Infeksionin e kaloi brenda tre javësh, por pasojat po i vuan ende. “Kur mora përgjigjen negative të tamponit të dytë u gëzova, vesha, mora çantën dhe u nisa në drejtim të makinës. Por, sapo bëra dy metra në oborr ndjeva dobësi, lodhje dhe një formë dembelizmi ekstreme, aq sa përtoja edhe të flisja. E kuptova se nuk isha ende gati për të dalë”, shton Maddalena.
Pasojat nuk ishin vetëm në aspektin profesional. Ato goditën edhe anën personale dhe raportin me bashkëshortin e saj.
“Pas muajit të parë nisa të mos fle. E kaloja shpesh natën e ulur në kolltuk dhe hidhja vështrimin bosh nga dritarja. Sapo mbyllja sytë prej lodhjes, më dukej sikur bie në zbrazëti, humnerë. Një ndërthyrje ankthi e shoqëruar me ndjesinë e humbjes”, tregon ajo.
Maddalena thotë se që në ditët e para që nisi të ketë këto ndjesi e priste që të goditej nga depresioni. “Të jetosh në këtë mënyrë favorizon kujtime të këqia dhe pesimizëm. Rrëshkita shpejt në depresion. Të gjithë më ngushëllonin, më jepnin kurajo, por mendja ime ishte diku tjetër, ose më saktë, nuk ishte asgjëkundi”, tregon ajo.
Nuk vonoi shumë dhe iu nënshtrua kurës psikoterapike në Institutin e Pavias. Mori si kurë ilaçe kundër depresionit dhe për të fjetur. Pas tre muajsh nga kjo terapi, sot thotë se gjërat janë përmirësuar dhe shpreson që ato të përmirësohen edhe më tej dhe me padurimin që t’i rikthehet jetës së vet normale.
“Nuk pretendoj të rikthehem ashtu siç isha, aty ku isha si një menaxhere e suksesshme. Por të paktën të kem një jetë normale, një punë normale”, mbyll rrëfimin e saj për La Repubblica 44-vjeçarja italiane.
Burimi La Repubblica. Përshtati në shqip, Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



