Ne rrjet

Pasi bëri homazhe në Prekaz, avokati serb niset për Serbi: Mund të më arrestojnë

Nga Gazeta ‘Si’ – Ditën e djeshme (18 janar) avokati serb, Çedomir Stojkoviç, vendosi lule mbi varrin e Blerina Jasharit e cila u vra nga forcat serbe në vitin 1998, në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pas njoftimit se mbrëmë ka qëndruar në Kosovë, ai tha se sot do të niset drejt Serbisë. Njoftimin e bëri me dije për të ‘sfiduar’ autoritete serbe që ta arrestojnë, njëjtë siç bënë me politikanin opozitar serb që është klient i tij, Nikolla Sanduloviç.

“Nga sot në orën 09:00 do të jem në Serbi. Në atë kohë kam në plan të kaloj kufirin. Në fushën e përgjegjësisë së prokurorit të lartë publik në Vranjë dhe Nish, i cili do të ketë mundësi të më arrestojë mua, sikurse Nikolla Sanduloviçin, sepse kam vendosur lule në varrin e fëmijës shtatëvjeçar Blerina Jashari. Nëse humbasin, ata e kanë mundësinë e tyre të radhës në Beograd”, shkroi ai në X.

Sanduloviç, u arrestua më 3 janar 2024, pak kohë pasi publikoi fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz. Ai u arrestua nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”. Ndërkohë ai u lirua, por iu konfiskua pasaporta.

Stojkoviç tha se Sanduloviç kishte bërë homazhe më 17 shkurt të vitit 2023.

“Njëzet e pesë vjet pas luftës së Kosovës, si lufta e fundit ballkanike, vendi im arreston dhe rrah njerëz që duan pajtim mes kombeve duke vendosur lule mbi varret e fëmijëve shqiptarë. Është dicka që nuk duhet ta injorojmë. Është një paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur, se ajo pret kohën e vet…”, tha ai.

“Unë erdha këtu jo vetëm për të shprehur dhimbjen time për qytetarët e vrarë, pas 26 vjetësh, erdha këtu jo vetëm për të nderuar viktimat, por erdha këtu edhe për të dhënë një mesazh të qartë se ne po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për jetën tonë. Njerëz, mos kini frikë. Nuk kemi pasur frikë dje, nuk kemi frikë sot dhe nuk do të kemi frikë nesër. Askush nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”, shtoi ai.

“I arrestuar apo jo, do të vazhdoj të jem njeri i lirë, sepse liria nuk vjen nga gjykimet… Liria vjen nga zemra e njeriut”, u shpreh Stojkoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë