Nga GazetaSi -Ndërsa e takojmë Pashkon Camajn në ambientet e Akademisë së Shkencave, ku ai pret miqtë të cilët kanë ardhe për promovimin e librit të tij “ Porosia e kullës”, ai zgjat dorën dhe më një të folur mes dialektit gegë dhe theksit amerikan, falënderon i buzëqeshur dhe me mirënjohje.
Është i gjatë Pashko, me flokë të thinjura të cilat nuk ia rrisin aspak moshën. Kundrathënës i kësaj është buzëqeshja e tij rinore dhe njëfarë ngazëllimi që e ka pushtuar të tërin. Është libri i parë që ka shkruar dhe është autobiografi.
Herë pas here gjatë mbajtjes së fjalës ai përlotet dhe përshfaq një tjetër dimension të cilin rrallë e gjen në njerëzit e letrave. Por ai mohon me modesti se nuk është njeri i letrave edhe pse ka shkruar një libër. Teksti dëshmon të kundërten.
Libri nuk është vetëm autobiografi por është dhe një tekst letrar i mrekullueshëm.
Pashko ka shumë për të thënë e rrëfyer, sesi nga bagazhi i një makinë kalon kufirin Meksikë- SHBA e deri tek puna e tij në bashkinë e New Yourk, ku ai menaxhon mbi 60 mijë punëtorë. Deviza e ëndrrës amerikane.
Në fund të takimit Pashko pohon se do të qëndrojë vetëm një natë në Tiranë dhe premton se intervistën për ne do ta japë sapo të arrijë në ShBA. Dhe kështu ndodh.
Një shqiptar në bashkinë e New Yourk-ut
“Jeta ime në Amerikë, filloi me hapjen e bagazhit të një veture amerikane” nis rrëfimin Camaj.
“Pas katër ditësh rrugëtim, arritëm në Michigan në një të diel pasdite, më 22 shtator, 1985. Të nesërmen, në ora 6:00 të mëngjesit kam qenë në një furgon me bojë e materiale pune, duke shkuar në punë. Ditën e parë timen në Amerikë, nuk dija as ç’ka do punoja as sa do të paguhesha” tregon ai.
Ai thotë se puna ishte e domsdoshme dhe jetike por ëndrra e tij ishte shkolla.
“Punë, punë e pandaluar por ëndrra për shkollë jetonte në mua. Ditën e parë të kolegjit, në semestrin tim të parë, isha gati 29 vjeç. Nuk i thashë askujt se isha regjistruar, sepse kisha frikë nga dështimi. Arritjet e mia nuk ishin të rrugës rutinë, të një studenti këtu në SHBA apo gjetiu”, vijon ai.
Por Camaj nuk ishte student si gjithë të tjerët, ai thotë se ishte baba i tre fëmijëve kur nisi kolegjin.
“Mora një rrugë të pazakontë dhe qarkore për të arritur suksesin, në kohë kur isha prind i tre fëmijëve, dhe jo me lehtësi i përballoja të gjitha pasi isha ai që kujdesej për mirëqënien e familjes sime. I kam filluar ditët e kolegjit në një kolegj të qytetit të Nju Jorkut, fillimisht një bachelor dhe pastaj master. Më vonë kam marrë punën time në një pozicion në një agjenci të shtetit të Nju Jorkut, ku aktualisht jam ende i punësuar.
Gjatë viteve kam mësuar se kisha nevojë të shtyja fort përpara për të patur sukses. Këtë në SHBA që është një vend mundësish, por duhet që ta duash. Më në fund, arrita të marr diplomën, doktor i shkencave të shëndetit publik në unversitetin Kolumbia në Nju Jork. i afërt me mjeksinë, si epidemiolog dhe punoj në fushën e të kuptuarit, dhe parandalimin e sëmundjeve”, tregon ai.
Ai thotë COVID-19 ishte kulmi i punës së tij ku dhe u evidentua si profesionist.
“Një nga atributet e diplomës sime ishte se gjatë pandemisë COVID-19 isha shumë i përfshirë jo vetëm në punën time por edhe duke qenë zë për shumë shqiptarë këtu në SHBA por edhe në atdhe. Gjatë dy viteve të kohëve shumë intensive dhe të frikshme të pandemisë, u përpoqa të jepja sa më shumë informacion të mundshëm, që ishte informacion i dobishëm. Pra duke treguar se ndërsa jemi në një pozitë të pasigurt, gjithnjë optimist, se duke qëndruar të kujdesshëm për të ruajtur shëndetin tonë, gjërat do të përmirësoheshin. Duhet të kem bërë shumë intervista televizive që ishin në orën 2 të mëngjesit në Nju Jork për lidhjet direkte televizive herët në mëngjes në Shqipëri dhe Kosovë”, vijon ai.
Rruga për tek ëndrra, kalon nga bagazhi i një makine
Por gjithçka nisi nga bagazhi i makinës dhe këtë Pashko Camaj nuk e harron kurrë.
“Edhe sot e kësaj dite, kam një ndjenjë klaustrofobie nese gjindem në një vend të ngushtë, dhe ky nuk është një vend i këndshëm për të qenë. Është diçka që ndonjëherë e mendoj pothuajse sikur të ishte një ëndërr dhe nuk është realitet sepse nuk mund të mendoja të bëja diçka të tillë sot. Por kur je 20 vjeç dhe i dëshpëruar për të kaluar atu ku do, nuk mendon shumë” kujton Camaj.
Ai nuk harron të përmëndë atë që iu bë krah në udhëtimin e tij të vështirë, të motrën e tij Dritën e cila ishte bashkëudhëtare e tij.
“Kur e gjen vehten te mbyllur në një bagazh, realiteti godet, dhe në rastin tim, ishte motra ime Drita që ishte me mua, që më ruajti, që më ngushëlloi, sepse nuk mendoj se mund ta kisha përballuar këtë vetëm. Ishte forca e saj që më orientoi të mendoja mendime të mira, medime pozitive, ndërsa përpiqesha dëshpërimisht të merrja frymë. Me ndihmen e saj u transportova në diçka ndryshe duke harruar se isha i mbyllur në bagazh, dhe përpiqesha të mendoja se po vrapoja në një fushë të thatë, aty në afërsi të shtëpisë që sapo e lashë”
Minutat në bagazhin e makinës e cila thyente kufirin mes Meksikës dhe ShBa-së do të ishin simbolika e jetës së tij.
“Udhëtimin që ishte rreth 30 ose 40 minuta i gjatë m’u duk si një përjetësi. Por, në bagazhin e makinës ishte stuhia për mua, dhe hapja e bagazhit, ishte lindja e diellit, ishte fillimi i ri dhe jetën e re që në ato momente nuk mund ta kisha imagjinuar kurrë se do të ishte e mundur” rrëfën Camaj
Por puna dhe vullneti ishin dy elementët që e shtynë Pashkon të arrijë ëndrrat e tij. I pyetur sesi ndihet sot si një njeri i plotësuar profesionalisht ai me modesti pranon se ndihet i realizuar por pa dashur ta ndajë fatin e tij me fatin e bashkëatdhetarëve të tjerë që kanë arritur të jenë dikushi në vendin e huaj.
“Pozicioni im sot në një agjenci shtetërore të Nju Jorkut për transportin publik me 60.000 punonjës dhe shërbimi i miliona njerëzve që çdo ditë përdorin sistemin tonë. Në pozitën e zëvendëspresidentit të departamentit që merret me shendetin dhe sigurinë e fuqisë sonë punëtore, kryesisht duke siguruar aplikimin e rregulloreve që mbrojnë shëndetin dhe sigurinë e punonjësve tanë, por edhe atë të përdoruesve të sistemit tonë.
E rëndësishme të theksohet është se pozicioni im i parë në këtë agjenci ishte si një specialist i nivelit fillestar me pagë relativisht të ulët. Por me kalimin e viteve dhe me arrijen e niveleve të arsimit, siç ishte diploma e doktorit, me katapultoi karrierën time dhe të ngjisja shkallët administrative në agjencinë shtetërore”, përgjigjet ai.
Por Pashko nuk e ndan fatin e tij me fatin e bashkëatdhetarëve të tjerë që kanë arritur të jenë dikushi në vendin e huaj.
“Për shumë njerëz këto arritje mund të duken si të pabesueshme, por përvoja ime është përvoja e shumë shqiptarëve në mërgatën tonë që kanë gjetur shtëpinë e tyre dhe jetojnë ëndrrën e tyre amerikane. Dikush si unë mund të kalojë kufijtë dhe të hyjë brenda i mbyllur në bagazhin e një makine (në mënyrë të paligjshme) por me përkushtim të madh, punë, progress e dinjitet dhe mbështetje nga familja, mund të arrinte çdo gjë që ata deshironin të bënin në token e premtuar. Kjo është e mundur vetëm në vendin që ne e quajmë shtëpia jonë, pra është unike amerikane, si ëndërr dhe si realitet” nënvizon ai.
Porosia e kullës, libri që qetëson ndërgjegjen.
Libri i tij autobiografik “ Porosia e kullës” është shkruar si një ndërlidhje mes brezash. Për fëmijët e tij të cilët sipas Camajt nuk e kuptojnë jetën e vështire të parardhësve.
“Shkrimi në librin tim ishte punë dashurie, por ishte edhe një mënyrë për t’u lidhur me fëmijët e mi. Një nga vajzat e mia ishte veçanërisht e përfshirë në dhënien e redaktimeve, por ishte kaq emocionuese për mua, saqë sa herë që i jepja diçka për të lexuar, një histori që e kujtoja në librin tim ajo vinte e fillonte me: “Uau, nuk e dija këtë. Oh, kjo është shumë e mahnitshme..” Ishte një mënyrë për t’u lidhur me fëmijët e mi dhe për të u treguar se unë kisha një jetë kaq të paimagjinueshme për ta. Nëse asgjë tjetër, kam arritur një gjë që fëmijët e mi e mësuan se kush ishte babai i tyre, por aq më tepër se kush ishin gjyshi, gjyshja, babëgjyshi e kështu me rradhë. Pra e gjithë kjo histori, për ta e paimagjinueshme, u mundësohet nëpërmjet leximit të librin tim, por jo vetëm fëmijëve të mi, por të gjithë brezave që vijnë pas, që duan ti dijnë e të mësojnë” thotë Camaj.
Ai thekson se shkrimi i librit ishte edhe një domsdoshmëri për tu çliruar nga faji që e mundonte prej vitesh. Ky faj lidhet me vendimin e braktisjes së vendit të tij.
“Dëshira për të shkruar një libër për mua ishte fillimisht një dëshirë imja për t’u çliruar nga ndjenja e fajit që nder vite kam ndjerë për largimin nga shtëpia ime, nga ajo botë për të cilën baballarët tanë dhanë gjithçka. Një nga gjërat që brezi i parë mbart me vete, nga këndvështrimi im, është ndjenja e atij sensi faji për diçka të humbur, që ju përpiqeni të gjeni, mundoheni te mbani një lidhje me të kaluarën dhe po aq të rëndësishme, me të ardhmen, me ata që vijnë pas nesh.
Pra, në përpjekje për t’u çliruar nga kjo barrë, përpiqem të rijetoj momentet historike, dhe jo vetëm jetën time, por jetën e atyre të paraardhësve të mi, atyre që lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën time. Pra, dëshira për të shkruar diçka, që mund të jetë trashëgimi për fëmijët e mi, për fëmijtë tonë, në mënyrë që ata të mund të kultivojnë dashurinë për atdheun e baballarëve të tyre. Të dijnë kush jemi dhe nga vijmë, dhe se ata mund të jenë gjithmonë krenarë, të njohin dhe të dinë se rrënjët e tyre janë atje. Ndërkohë që janë amerikanë të mirë ata gjithmonë mund të kujtojnë dhe të dinë se nga vijnë” vijon ai.
Camaj parashtron historinë dhe si ide, duke gjykuar tashmë pas kaq vitesh se vendimi i ikjes ishte i drejtë por fton brezat e rinj të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në vendin e tyre duke theksuar se koha e tyre ishte krejt ndryshe.
“Libri që kam shkruar “Porosia e kullës” është më shumë se thjeshtë një përgjigje nëse bëra një hap të duhur, a mos ishte gabim vendimi im vite më parë për t’u larguar nga shtëpia ime, shtëpia e baballarëve të mi. Një përgjigje e thjeshtë për këtë është se mendoj se ishte i vetmi vendim që mund të kisha marrë. Megjithatë, me librin tim, në përgjigjen time, u tregoj atyre pse e kam marrë atë vendim, pse e kam shkëput trashëgiminë e të gjithë brezave para meje, vendin që e quajtën shtëpi për shekuj të tërë.
Unë vendos të bëj një ndryshim drastik, të kaloj oqeanet e të shkoj në diçka të panjohur, në një udhëtim të turbullt për të kaluar në një vend që premtonte shumë gjëra, por që në pikën kur u nisa nga shtëpia, ishte krejtësisht e panjohur për mua. Por kisha vendosur dhe i gatshëm për të marrë atë udhëtim, duke mos ditur atëherë se ajo do të më ndryshojë përgjithmonë” dhe shton se : “Duke parë pas 40 vjet më vonë vendimi ishte i drejtë, por në zemrën time e ndjej se duhet t’u tregojmë brezave të ri, se ndërsa ne u larguam nga vendindja jonë, ne ende mund të veprojmë ashtu si trashigimtarët tanë, këtu në këtë vend të bekuar, do t’i bënin krenarë baballarët tanë”, thotë autori.
Vendlindja, Itaka që rikthehet herë pas here.
I pyetur se a e viziton shpesh Shqipërinë dhe se çfarë mendon për trevat shqiptare këtej dhe andej kufirit Camaj thotë se Tuzin e viziton shpesh por edhe Shqipërinë.
“Shpesh shkoj në vendlindje dhe sa herë që shkoj atje, kënaqem. Por ajo që mungon është diçka që nuk do të zëvendësohet vetem duke u kthyer prapa. Në çdo kthim përpiqem të shoh nëse mund të kap një vështrim të atyre viteve, por për ditë e më tepër, duket më e vështirë, pothuajse si të kapja ‘një rrufe në një shishe’ sepse çdo pjesë e atij rajoni është pjesë e qënies sime. Një gjë që më mungon më shumë është vendi ku gjithkush njeh gjithkend dhe nuk je vetëm një numër, se në një botë të re të cilës ne i takojmë, ndonjëherë na duket sikur jemi disa pika në një oqean të madh, ku bota je ti që lëviz kaq shpejt, saqë nuk ka kohë as të të shohë apo të të njohë. Në kthimet mrapa, disesi përherë shkojmë tek gjërat që na bënin të lumtur, edhe pse jeta jonë ishte plot gjëra të ashpra, ato zhduken, dhe vetëm mbesin gjërat e mira” përgjigjet ai.
Camaj ka dhe kritikat e tij për klasën politike shqiptare dhe mënyrën sesi ata e kanë polarizuar shoqërinë.
“Duke qenë shqiptarë në një vend që është djepi i demokracisë, këtu në SHBA, gjithmonë kemi opinione dhe shikojmë atdheun tonë, përfshirë të gjithë trojet, si nga pikëpamja politike ashtu edhe ndryshimet që po ndodhin para syve tanë. Sa herë që shkoj në Shqipëri, shoh ndryshimet që vështirë të imagjinohen 20 apo 30 vjet më parë. Ne shqiptarët jemi shumë të opinionizuar kur bëhet fjalë për pikëpamjet politike dhe shumë herë i bëjmë të njohura pikëpamjet tona, dhe besoj se ato ndonjëherë errësojnë nevojën reale për të pasur një dialog dhe diskutim rreth gjërave që janë të rëndësishme. Mizoria e çdo gjëje politike në atdheun tonë na la me shijen e thartë. Edhe sot rezultatet e kësaj janë të dukshme”, deklaron ai.
Pashko Camaj e mbyll intervistën me një apel dhe thirrje për politikën dhe shoqërinë shqiptare:
“Ne ndonjëherë harrojmë se gjenereta nuk janë “zi ose bardh”, ka gjithmonë diçka në mes të kësaj, pra jo çdo gjë është bardhë e zi se ka gjithmonë disa gri dhe ne kemi nevojë për të gjetur një mënyrë për të jetuar brenda asaj grije. Moti në Shqipëri apo në çdo pjesë tjetër të vendit ku jetojnë shqiptarët, na duhet të kalojmë nga të qenit një popull që shikon në të kaluarën e dhimbshme, pasi na errësohet të shohim të ardhmen. Shpresa ime është që udhëheqja në Shqipëri dhe në çdo rajon tjetër ku ne e quajmë atdheun tonë, ata t’i përkushtohen idealeve për t’i shërbyer kombit të tyre, nevojave të tyre dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritur për brezat tanë që do të vijnë” përfundon rrëfimin e tij Pashko Camaj.
Histori të tilla janë secila një subjekt më vete por të ndara kuptohen më mirë sepse historitë e emigracionit nuk janë thjesht histori ikjesh, por histori malli i cili mbetet ngërthyer përjetësisht në ta . E tillë është edhe historia e Pashko Camajt e cila nis nga bagazhi i një makinë për tu ngjitur në majë të ëndrrave të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.