Katar 2022

Pasarela karikon Argjentinën: Më të fortë se Franca, trajneri po bën një kryevepër

Gazeta Si – Maradona ka fituar Botërorin e fundit me Argjentinën, Mesi mund ta imitojë sot, por për tifozët bardhekaltër ‘kapiteni i madh’ është vetëm një: Daniel Pasarela.

Lideri i skuadrës së 1978-ës ngriti në qiellin e Buenos Airesit Kupën e parë të Botës në histori, atëherë kur Diego ishte vetëm një tifoz.

Pasarela ka folur për finalen e sotme me Francën me shumë besim. Ai gjykon se Argjentina është më e fortë se Franca dhe se trajneri Skaloni po bën një kryevepër.

Pasarela me trofeun e Kupes se Botes ne vitin 1978. Gazeta Si, 18 dhjetor 2022

“Sigurisht, e prisja Argjentinën në finale, ne luajmë gjithmonë për të fituar, jo vetëm në Botëror. Jemi kampionë të Amerikës së Jugut, mos harroni. Për historinë që kemi, nuk kënaqemi vetëm me pjesëmarrjen. Argjentina duhet gjithmonë të dalë kampione.

Kjo skuadër është e të gjithëve. E presidentit të federatës Tapia, e trajnerit Skaloni që po kryen një kryevepër, sepse lojtarët mbeten, ndërsa trajnerët ikin nëse humbasin. Duhet t’ia njohim meritat, pasi ishin të paktë ata që besonin tek ai.

Argjentina ka një organikë të pasur, nuk është vetëm Mesi. Edhe ata që mund ta nisin nga stoli mund të jenë vendimtarë në finale. Nëse Argjentina fiton sot, Mesi do të ishte si Maradona.

Kujt i druhem te Franca? E thjeshtë të them Mbape, që është shumë i shpejtë dhe shpesh bën diferencën. Është kampioni i së ardhmes, por ndaj nesh nuk do të gjejë shumë hapësira. Do ishte gabim të mendojmë se Franca varet nga Mbape, sepse përveç tij janë edhe lojtarë të tjerë shumë të mirë, si Grizman dhe Zhiru”, – ka thënë Pasarela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë