Komunitet

Pas tërmetit, të gjitha ndërtesat mbi 50-vjeçare nën kontroll teknik

Të gjitha ndërtesat publike dhe jo publike që rezultojnë që janë ndërtuar mbi 50 vite më parë do t’i nënshtrohet kontrollit teknik. Ky është propozimi më i fundit i qeverisë nëpërmjet ndryshimeve të reja ligjore të paraqitura në Parlament.
“Të gjitha objektet, të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, i nënshtrohen procesit të auditimit teknik. Rregullat për mënyrën se si do të zbatohet auditimi dhe cilat do të jenë subjektet që do ta kryejnë atë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në amendamentin e paraqitur nga Qeveria. Ndryshimet e reja të ligjit “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, përcaktohet realizimi i oponencës së godinave që rezultojnë të jenë të ndërtuar për më shumë se gjysmëshekulli.

“Ky projektligj iniciohet në kuadër të situatës emergjente të krijuar nga dëmtimet që ka shkaktuar tërmeti i fuqishëm i datës 21 shtator 2019 në disa qytete të vendit, kohës së pamjaftueshme për rregullimet ligjore sipas procesit legjislativ dhe nevojës së menjëhershme për ndërtimin e riparimin e ndërtesave të dëmtuara”, thuhet në relacionin e kësaj nisme. Ndërsa sa i përket oponencës së ndërtesave parashikohet që për projektet e ndërtimit të objekteve do të kryhet nga institutet shtetërore ose ente të tjera, të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e ndërtimeve, për të gjitha: a) ndërtimet publike; b) ndërtimet jo, me vlerë të preventuar së paku 100 milionë lekë; c) objektet me akses publik.

Projektligji i depozituar në Parlament nga ana qeveria. Gazeta Si, 4 nëntor 2019

Mënyra e kryerjes së kësaj oponence do të përcaktohet me vendim qeverie, por përcaktimi i shprehjes “ente të tjera” mund të bëjë që Këshilli i Ministrave të caktojë edhe kompani private. Për hartuesit e këtij projektligji efektet e pritshme të projektligjit janë: verifikimi në mënyrë periodike nga Instituti i Ndërtimit, nëpërmjet kryerjes së auditimeve teknike të punimeve të ndërtimit, në objektet të cilat kanë mbi 50 vjet që janë ndërtuar, për plotësimin e kërkesave minimale të rezistencës, qëndrueshmërisë mekanike dhe sigurisë në përdorim dhe propozimi i masave përkatëse në rast të mosplotësimit të kërkesave minimale të punimeve të ndërtimit, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre.
Në ndërtesat që janë ngritur që para vitit 1969 e këtej, kontrollit bie që t’i nënshtrohen edhe selia e Qeverisë, Parlamenti, presidenca dhe kompleksi i ministrive, apo dhe Pallati i Brigadave të ndërtuara në kohën e Mbretit Zog, gjatë pushtimit të Italisë apo dhe me vonë pas çlirimit të Shqipërisë, nga rusët apo dhe kinezët. Me këtë nismë qeveria ka të drejtën të realizojë edhe kontrollin teknik mbi Teatrin Kombëtar, godina për të cilën artistët po protestojnë prej muajsh duke mos lejuar shembjen e ndërtimin e një objekti të ri.
Pas tërmetit që tronditi Shqipërinë në datë 21 shtator qeveria ndërmori disa hapa për sigurimin e banesave. Këshilli i Ministrave mori vendim për të detyruar ndërtuesit që të lidhin kontrata 10-vjeçare sigurimi me blerësit. Gjithashtu asnjë leje ndërtimi nuk do të jepet pa policën e sigurimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë