Pas Emiljano Shullazit, OFL i dërgoi letër në burg një tjetër personi që ndodhet pas hekurave. Kërkesa për vërtetimin e pasurisë i shkoi këtë të mërkurë, Dritan Dajtit. Po ashtu e njëjta kërkesë i ka shkuar edhe Xhevdet Troplinit.
Dritan Dajti me banim në Tiranë, është një emër i njohur për drejtësinë, dhe është i dënuar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e 4 efektivëve të policisë më 7 gusht të vitit 2009, një nga ngjarjet më të rënda në policinë shqiptare.
Efektivët e policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Sajmir Duçkollari gjetën vdekjen pas përplasjes me armë mes tyre dhe të shumëkërkuarit nga drejtësia në atë kohë. Ata ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin, i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë. Deri në momentin e arrestimit pak minuta pas masakrës ku mbeti edhe vetë i plagosur, Dritan Dajti kishte qenë në liri pas arratisë nga Gjykata e Tiranës në verë të vitit 2004.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e dënoi Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm, u pranua kërkesa me gjykim të shkurtuar dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg.
Teksa ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 7 vite burg.
Kjo pasi qëndrimi në paraburgim përllogaritet një ditë e gjysmë. Mazhoranca e cilësoi këtë vendim një skandal, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri rekurs për vendimin në Gjykatën e Lartë.
Ndërsa Xhevdet Troplini, me banim në Durrës, është i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.
Ai u arrestua në Durrës për trafikimin e 11 kg heroinë nga Italia në Shqipëri. Atij i janë sekuestruar njëherë pasuritë ndër të cilat disa objekte të ish-ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut në Durrës . Në banesën e tij u gjetën gjithashtu automjete luksoze të përfituara nga të ardhurat e aktivitetit kriminal trafikut të drogës.
Edhe dje Troplini ka qenë në rrjetën e OFL, pasi iu sekuestrua një automjet i blinduar tip “Jeep”, por më pas i është rikthyer pasi e kishte me dokumentacion të rregullt.
Siç bëri me dije zëdhënësja e OFL, të dy këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
“Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme”, tha ajo.
Zëdhënësja ndër të tjera tha se “OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




