Ne rrjet

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Vladimir Putin punonte si taksist

Kanë kaluar 30 vjet, por për Vladimir Putinin dhe miliona rusë të tjerë shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 vazhdon të mbetet "një nga katastrofat më të mëdha gjeopolitike të shekullit të njëzetë". Ashtu si bota perëndimore i frikësohet agresionit të Rusisë në kufirin me Ukrainën, lideri i Kremlinit ka vendosur t'i kthehet temës, duke u intervistuar nga autorët e dokumentarit "Rusia, Historia Bashkëkohore".

Ai kujtoi se sa dramatike ishte situata e tij personale në ato muaj, aq sa kishte vendosur të bëhej shofer taksie për të mbijetuar, pasi kishte menaxhuar stacionin e KGB-së në Drezden, në Gjermaninë Lindore.

Problemet ekonomike të shkaktuara nga kolapsi detyruan shumë rusë të kërkonin mënyra të reja për të fituar para. Fundi i Bashkimit Sovjetik solli një periudhë paqëndrueshmërie ekonomike që zhyti shumë njerëz në varfëri teksa Rusia kaloi nga komunizmi në kapitalizëm.

“Ndonjëherë më duhej të fitoja pak para shtesë,” tha Putin në dokumentar, duke shpjeguar se herë pas here punonte si shofer taksie.

Por më pas ai filloi një sërë konsideratash mbi atë që Rusia ka "humbur", të cilat sot duken të jenë shumë pak korrekte politikisht. Edhe në kohën sovjetike është argumentuar gjithmonë se vendi i themeluar nga Lenini ishte një bashkim i republikave të pavarura, i kombeve autonome, me karakteristikat e tyre të veçanta, përkatësinë e tyre etnike, etj etj. Dhe se ata kishin vendosur të qëndronin së bashku për të arritur socializmin.

Tani, megjithatë, presidenti duket se i referohet një vizioni tërësisht ruso-centrist, për të mos thënë imperialist të atij shteti, i cili shihet si një vazhdim i pastër dhe i thjeshtë i perandorisë cariste. Me shpërbërjen e BRSS-së në dhjetor 1991, Putin argumenton se "vendi ka humbur 40 për qind të territorit të tij; si dhe potencialin e prodhimit dhe të popullsisë. Jemi transformuar totalisht në një vend tjetër. Ajo që ishte grumbulluar gjatë një mijë vjetësh, është humbur në një masë të konsiderueshme”.

Presidenti më pas kujtoi tragjedinë e rusëve etnikë që mbetën jashtë kufijve të shtetit të ri dhe u bënë qytetarë të republikave të tjera, ku as nuk e flisnin gjuhën, nga Letonia, Turkmenistani dhe Gjeorgjia. “Në një çast, 25 milionë rusë e gjetën veten jashtë vendit”. Putin ka argumentuar vazhdimisht se "populli rus është bërë populli më i madh i ndarë në botë".

Po sot? Putini akuzohet nga shumë njerëz se dëshiron të rindërtojë Bashkimin e humbur, qoftë edhe vetëm duke bashkuar tre vendet e mëdha sllave, Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën. Por kjo është një hipotezë jashtë historisë, siç ka thënë në të kaluarën vetë Vladimir Vladimiroviç, duke cituar një thënie shumë të përhapur në të gjitha ish-republikat sovjetike: "Ata që nuk ndjejnë ende trishtim për shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, nuk kanë zemër dhe ata që ëndërrojnë rikthimin e BRSS nuk kanë kokë”.

Më pas, ai shtoi: “Nuk do të lejojmë që e kaluara të na tërheqë nga xhaketa dhe të mos na japë mundësinë të ecim përpara”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë