Gjatë natës dhe ditës së sotme, në pjesën më të madhe të territorit të vendit ka pasur reshje me intensitet të ulët dhe në intervale të shkurtra me intensitet deri mesatar.
Si rezultat i reshjeve te shiut ka prani të ujit në disa pika problematika në qytetin e Durrësit, si tek kryqëzimi i Stadiumit, tek Stacioni i trenit, në lagjen 17, në zonën e Kënetës dhe Shkozet, ku është vështirësuar lëvizja e këmbësorëve dhe mjeteve.
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar së fundmi për gjendjen në terren, ndërsa sqaron se po punohet për të rikthyer normalitetin në zonat me problematika.
Ministria thekson se janë situata më problematike është në Shkozet, ku janë 40 shtëpi të përmbytura, ndërsa nga emergjencat janë shpëtuar 4 fëmijë të bllokuar në një furgon shkolle.
“Emergjencat Civile u kanë ardhur në ndihmë 4 fëmijëve të bllokuar në një furgon shkolle dhe një familjeje, ndërsa më problematike është situata në rreth 40 banesa në Shkozet, ku është regjistruar prani uji”.
Gjithashtu, uji ka depërtuar në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si “Ura e Dajlanit” dhe Ish-Këneta. Niveli i ujit në Kanalin e Ujërave të Larta në unazën e qytetit ka arritur në një nivel kritik.
Po ashtu, ka prani të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth.
Gjithashtu, kanë mjaftuar pak orë shi dhe disa nga rrugët e qytetit të Vlorës janë mbuluar sërish nga ujrat duke rikthyer frikën tek banorët, të cilët kanë ende të dukshme pasojat e përmbytjes së tetorit të vitit të kaluar.
Sipas informacioneve nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, të gjitha akset rrugore kombëtare janë të hapura dhe nuk paraqiten problematika në qarkullimin e automjeteve.
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Sipas parashikimeve nga IGJEO në orët në vazhdim priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër. Në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës dhe Tiranë priten reshje mesatare, shoqëruar me shtrëngata. Në pjesën tjetër të vendit priten reshje te dobëta deri lokalisht mesatare. Në Veri dhe Verilindje në lartësitë mbi 900 m nga niveli i detit priten reshje dëbore. Shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve për momente të shkurtra mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në varësi të sistemit të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.