Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë "arrest në burg" për Alda Klosin, e akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë para policisë.
Seanca u zhvillua në Gjykatën e Tiranës dhe Klosi nuk ishte e pranishme në seancë, por u përfaqësua nga avokati i saj.
Ish-shefja e kabinetit të zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ndodhet në spital për shkak të problemeve shëndetësore që shfaqi pas arrestimit.
Avokati i 41-vjeçares, Ilirjan Muho, pas përfundimit të seancës, tha për mediat se deklarimi i pastrueses Rozata Dobi, që çoi në arrestimin e ish-zyrtares, është i gënjeshtërt dhe që synon të lehtësojë pozitën e saj dhe të djalit.
Sipas tij, nëse Klosi ia kishte lënë paratë për t’i ruajtur, përse u hap kasaforta dhe më pas e hodhën në kosh.
“Ishte një deklarim i marrë ditët e fundit në datën 3 shkurt kur u vendos dhe ndalimi. Është hera e katërt që pyetet dhe sa herë pyetet ka dhënë një version të ri për ngjarjen. Në deklarimin e datës 3 shkurt ka pohuar që këto veprime i ka kryer në një marrëveshje të plotë me Alda Klosin. Është një gënjeshtër, është deklarim i pavërtetë. Nëse do ishte kështu, atëherë si është e mundur që kasaforta që sipas saj i është dhënë për ta mbajtur në ruajtje, si ishte e mundur që ishte hapur dhe është hedhur në kazan plehrash?".
Ai tha se Dobi ka thënë disa herë deklarime me versione të ndryshme, njëherë pranoi fajin dhe tashmë po ia hedh atë Alda Klosit. Sipas tij, Dobi gjithçka po e bën që të marrë një pozitë me të lehtësuar për djalin e saj.
"Këto deklarime pohojnë që kemi të bëjmë me një shtetase që ka një qëllim të caktuar që bën një deklarim të tillë, të lehtësojë sadopak pozitën e saj, sepse tashmë është e zënë me 'presh në dorë' dhe të përpiqet të pëfitojë sado të jetë e mundur një pozitë sa më të lehtësuar për djalin e saj”, deklaroi avokati.
Sa i përket 120 mijë eurove të vjedhura nga Dobi në shtëpinë e Kloist, avokati i qëndroi versionit se ato para i përkisnin xhaxhait të Klosit.
“Nga vëllai i saj dhe Alda është paraqitur një kontratë huadhënie, një deklaratë në bazë të të cilës tregohet që janë dhënë një shumë prej 120 mijë Eurosh për kurimin e xhaxhit të saj në Amerikë. Nuk duhej t’i deklaronte sepse një detyrim të tillë ka detyrim ta bëjë deri në Mars të vitit pasardhës. (Për deklaratën e parë të dhënë nga Klosi para oficerit të policisë gjyqësore) Natyrisht është një deklaratë e përciptë. Është pyetur se çfarë të ka humbur. Nuk është pyetur burimi i parave, ku dhe si i ka i siguruar e sa kohë nuk është pyetur nuk ka pasur sesi të japë shpjegime. I ka dhënë vëllai i saj kur është pyetur (shpjegimet). Lekët janë për xhaxhin, sepse xhaxhai kishte nevojë për t’u kuruar në Amerikë”.
Seanca gjyqësore për dhënien e masës së sigurisë ndaj Alda Klosit nisi në QSUT në kryeqytet, ku ndodhet e shtruar ish këshilltarja e kryeministrisë, pas probleme që ka shfaqur pas arrestimit.
Në këtë seancë, ajo ka dhënë gjeneralitetet dhe mësohet se ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj saj nga Prokuroria dhe kërkon të rrëzojë me çdo kusht dëshminë e pastrueses Rozeta Dobi.
Alda Klosi u arrestua dy ditë më parë pas deklarimeve të pastrueses Rozeta Dobi, se shuma e mbi gjysmë milioni euro ishte marrë në banesën e Klosit dhe se kjo e fundit ja kishte dhënë për t’i ruajtur.
Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar që për Klosin të caktohet masa e sigurimit “arrest në burg”. Këtë masa la në fuqi edhe Gjykata sot.
Alda Klosi, vetëm disa orë pasi u prangos, ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është dërguar me urgjencë në spital në QSUT, ku po merr ndihmën mjekësore.
Zyrtarja 41-vjeçare deri më tani nuk ka dhënë deklarime para hetuesve, përveç atyre që ka sqaruar në dhjetor kur ka bërë kallëzimin dhe më pas kur është bërë arrestimi i pastrueses.
Gjatë marrjes në pyetje, Rozeta Dobi është shprehur se 520 mijë euro ia ka dhënë ish-zyrtarja në mirëbesim për t’ia ruajtur dhe i ka kërkuar të inskenonte grabitjen me qëllim për të fajësuar ish-bashkëshortin e Klosit.
Dobi ka deklaruar se paratë vinin që nga viti 2021, por që nuk kishte dijeni kush i sillte, por sipas saj ato mbërrinin në shtëpi me çanta.
Alda Klosi është përpjekur disa herë që të justifikojë paratë dhe pasuritë e saj, por nuk i ka bindur ende hetuesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.