Me kërkesë të tij, Kryeministri Edi Rama ka hyrë në Presidencë paraditen e së dielës, disa orë pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar Sandër Lleshin si Ministër të Brendshëm.
Takimi ka nisur pak para mesditës dhe mund të interpretohet si nisja e lëvizjes së radhës të Kryeministrit në kutinë e madhe të shahut politik shqiptar.
Presidenti dhe Kryeministri kane diskutuar kokë më kokë pak më shumë se një orë e gjysmë dhe në përfundim, as Ilir Meta dhe as Edi Rama nuk folën. Por, një deklaratë të shkurtër e shpërndau për mediat zyra e Kryeministrisë.
“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës”, thotë Kryeministria.
Pikërisht kësaj loje iu referua Edi Rama në mesazhin ku urdhëronte deputetët e tij që të mos bënin asnjë koment për askënd për refuzimin e Sandër Lleshit nga ana e Presidentit.
“Politika është shah, mos harroni”, shkruan ai.
Në deklaratën e shkurtër të Presidencës, që njoftonte refuzimin e dekretimit të Sandër Lleshit, thuhet se “Presidenti Ilir Meta nuk u bind nga kandidatura e paraqitur”.
Basha: Nuk është lojë shahu, por fati i shqiptarëve
Duke folur nga Korça, për atë që Partia Demokratike e quan “çlirimin e zgjedhjeve”, Lulzim Basha foli edhe edhe për mosdekretimin e ministrit të ri të Brendshëm nga Presidenti Ilir Meta.
“Ministri i tretë i propozuar nga Rama është dëshmi e krizës së thellë politike morale të mosqeverisjes së vendit si rezultat i bashkëqeverisjes me krimin. Vendi është pa kryeministër, pa gjykate, pa prokurori dhe përgjegjësia është e organizatës kriminale të Rilindjes dhe kreut të saj”, tha Basha.
“Presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe është detyra e tij të japë të giithë aspektin kushtetues të dekretimit dhe mosdekretimit të emrit të propozuar nga Rama. Një gjë është e sigurt, që lëvizja e ardhshme në atë që nuk është lojë shahu, por ka të bëjë me fatin e shqiptarëvë, është largimi i vetë Edi Ramës”, u shpreh kryedemokrati Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.