Nga Gazeta Si- Në 5 ditë, janë bërë 787 aplikime për Paketën e Maleve. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një hartë, që tregon aplikuesit në të gjithë vendin. Rama u bën thirrje emigrantëve që duan që të kthejnë objekte të tyre të vjetra në biznes të aplikojnë për leje.
“Të gjithë emigrantët posaçërisht, po edhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, një agroturizëm, një hotel malor, një fermë apo një linjë agropërpunimi, janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë me leje”, shton Rama.
Paketa e Maleve u miratua nga Kuvendi në janar të këtij viti dhe ka për qëllim që t’i kthejë zonat malore në zona atraktive për zhvillim. Një nga sfidat kryesore në këto zona është mungesa e certifikatave të pronësisë, e cila e vështirëson dhënien e lejeve për zhvillim apo ndërtim. Shumë toka administrohen nga individë apo familje që i zotërojnë tokat pa dokumentacion të rregullt.
Për këtë arsye, Paketa e Maleve parashikon një procedurë të thjeshtuar administrative: poseduesit jopronarë mund të regjistrohen ligjërisht pas një verifikimi të kryer nga bashkia. Pasi të përfundojë ky proces, ata mund të marrin pronësinë me çmim simbolik (1 euro), me kushtin që të kenë një plan zhvillimi dhe të marrin lejen përkatëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



