Art dhe Kulture

Pas një viti mungesë, Teatri Kombëtar rikthehet me tri produksione

Teatri Kombëtar pas më shumë se një viti mungesë për shkak të pandemisë rikthehet me tri vepra teatrore.

Janë tri produksione, vepra të autorëve të njohur, që do të vijnë me interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar.

Institucioni bën me dije se provat për sezonin artistik tashmë kanë nisur me artistët.

“Të dashur miq të teatrit, momenti i shumëpritur po vjen. Provat për sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar kanë nisur. Pas më shumë se një viti mungesë, Teatri Kombëtar rikthehet me 3 produksione madhështore”, thuhet mes të tjerave në njoftimin e Teatrit Kombëtar.

Për publikun do të vijnë veprat e autorëve George Orwell, Alexis Michalik apo dhe William Shakespeare. E para sipas njoftimit të Teatrit Kombëtar është ajo me titull “Ferma e Kafshëve”, që do të shënojë premierën në skenën e Amfiteatrit të Liqenit të Tiranës.

“’Ferma e Kafshëve’, komedia me trajta muzikore, bazuar në veprën e famshme me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur anglez George Orwell dhe regji të Driada Dervishit, do të zbresë në skenën e Amfiteatrit të Liqenit më 10-11 korrik 2021”, thuhet në njoftimin e Teatri Kombëtar.

“Ferma e Kafshëve”, një nga alegoritë politike më të njohura të shekullit të njëzetë na shpie në botën politike të pasrevolucionit, ku çliruesit bëhen shtypës dhe të shtypurit përfundojnë në makinën grirëse të historisë.

Shfaqje edhe te “ArTurbina”

Përpos veprës “Ferma e Kafshëve”, që do të shfaqet në amfiteatrin e liqenit të Tiranës, në tetor dhe në dhjetor do të vijnë dhe dy vepra të tjera teatrore.

Teatri Kombëtar bën me dije se muaji tetor vjen me “Edmond”, nga autori i ri dhe i talentuar Alexis Michalik dhe regji të Indrit Çobanit dhe Andia Xhungës. “Një produksion madhështor i Teatrit Kombëtar”, thuhet në njoftimin e institucionit. Në vijim të aktivitetit artistik të Teatrit Kombëtar vjen dhe vepra teatrore “Coriolanus”, nga shkrimtari i madh anglez Ëilliam Shakespeare. Teatri Kombëtar shprehet se kjo vepër vjen me regji nga Altin Basha.

Një nga tragjeditë romake të autorit të famshëm, e mbushur me konflikt, pushtet dhe hakmarrje. Premiera e ‘Coriolanus’ vjen në skenën e ‘ArTurbinës’ në muajin dhjetor.

Teatri Kombëtar si dhe institucionet e tjera kulturore në vend pezulluan aktivitetin artistik rreth një vit më parë për shkak të pandemisë Covid-19.

Gjatë kësaj kohe Teatrit Kombëtar i është dashur të rreket në mënyrat e reja të komunikimit me publikun, në sferën online. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë