Masat e ashpra izoluese në Kosovë duket se kanë efektive, duke çuar në një ulje të ndjeshme të infektuarve nga koronavirusi.
Tre javë pas vendosjes së një ore të rrepte policore dhe mbylljes totale në fundjave numri i rasteve të reja në Kosovë ka rënë nga rreth 900 të infektuar në rreth 300.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të mërkurën 296 raste të reja me koronavirus, pas marrjes së 1,158 mostrave. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar pesë viktima. Sipas të dhënave të këtij Instituti të mërkurën janë regjistruar edhe 319 raste që kanë mposhtur virusin.
Pjesa më e madhe e qyteteve dhe komunave të Kosovës janë nën masa më të rrepta kufizuese. Duke e ndarë vendin në zona të kuqe, të verdhë dhe jeshile, qeveria do të fusë pjesën më të madhe të vendit në izolim total pas orës 19:00 të mbrëmjes.
Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica.
Në komunat që gjenden në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, si dhe ndalohen hyrjet daljet deri në orën 05:00 të mëngjesit.
Komunat të cilat bëjnë pjesë në zonën e verdhë, operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00, por pas orës do të 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”. Qendrat tregtare lejohen të punojnë prej orës 05:00 deri në orën 18:00.
Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit.
Në komunat që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.
Transporti publik në këto komuna do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.
Qendrat tregtare në këto komuna do të mund të punojnë nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 20. Veprimtaria e hotelerisë dhe restoranteve ndalohet pas orës 20:00, përveç shërbimit” merre me vete” ose dërgesave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




