Drejtësia

GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës për shuarjen e masës, lihet në “detyrim paraqitje”

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, përkatësisht “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Ky vendim vjen pas një sërë vendimesh këtë të premte nga GJKKO lidhur me këtë çështje. Fillimisht kjo gjykatë rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për përjashtimin e gjyqtares Ilirjana Olldashi nga gjykimi i çështjes së Jamarbër Malltezi, me pretendimin se ka konflikt interesi.

E nga ana tjetër, gjyqtarja në fjalë la në fuqi vendimin për sekuestron preventive të 25 pasurive të dhëndrit të ish-kryeministrit.  

Pavarësisht caktimit të masës nga Prokuroria e Posaçme, Berisha nuk është paraqitur asnjëherë në ambientet e SPAK, duke e cilësuar vendim anti-kushtetues. Hetimet për të dhe Jamarbër Malltezin janë të lidhura me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Një ditë më parë, SPAK kërkoi përjashtimin e Olldashit nga shqyrtimi i ankimit të Jamarbër Malltezit për heqjen e sekuestros që i janë vënë 25 pasurive të tij në Tiranë dhe Gjirin e Lalzit.

Por gjyqtarja e GJKKO-së Miliana Muça e ka rrëzuar këtë pretendim, duke refuzuar përjshtimin e gjyqtares Olldashi nga ky proces.

Më 21 nëntor 2023, Olldashi liroi nga qelia e paraburgimit dhëndrin e ish kryeministrit, Sali Berisha, i cili është në hetim për aferën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”.

SPAK, po ashtu ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë të vendimit të Olldashit që mban datën 22 nëntor 2023, me të cilin nxori nga paraburgimi në ‘arrest shtëpie’ dhëndrin e Sali Berishës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë