Drejtësia

Pas lirisë, Fredi Beleri kërkon pafajësi në Gjykatën e Lartë

Gazeta Si - Dy javë pasi u lirua nga qelia, ish kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri ka dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon pafajësi.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të vitit të shkuar në Himarë, pasi dyshohej për blerje votash.

Edhe pse fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Himarë, ai nuk arriti asnjëherë ta ushtronte detyrën. Beleri u dënua me 2 vite burgim për akuzën e korrupsionit zgjedhor, por asnjëherë nuk e pranoi akuzën, duke deklaruar se ishte arrestuar me urdhër politik.

Gjatë kohës që vuante dënimin, Beleri u zgjodh edhe eurodeputet i Greqisë i propozuar nga kryeministri grek Mitsotakis, që përfaqëson Partinë Demokracia e Re.

Më 2 shtator, Beleri u lirua me kusht, kur i kishin mbetur edhe 6 muaj për të vuajtur në qeli. Beteja e tij ligjore me drejtësinë shqiptare, tensionoi edhe marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës dhe Athinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë