Menaxhim

Pas Italisë dhe Holanda rrit taksat për bankat tregtare. Priten 850 mln euro në vit

Pas Italisë edhe Hollanda ka rritur ndjeshëm taksat mbi bankat tregtare, me qëllim mbrojtjen e shtresave vulnerabël. Mbrëmjen e së enjtes, parlamenti holandez miratoi propozimin që taksa të rritet me 70% për bankat që kanë seli në Holandë.

Sipas propozimit, taksa do të sjellë 850 milionë euro shtesë në vit në buxhetin e shtetit dhe do të përdoret për të rritur pagën minimale, por edhe transfertat sociale për familjet me të ardhura të pakta.

Taksa e posaçme mbi bankat në Holandë u vendos në vitin 2012. Ajo takson kreditë e pambuluara me kolateral që bankat kanë dhënë për biznesin apo qytetarët.

Deri më tani kjo taksë ka qenë me dy nivele. Për kreditë afatshkurtra të pambuluara me kolateral ajo ishte 0.044 për qind, ndërsa për kreditë afatgjata 0.022 për qind.

Parlamenti holandez miratoi dhe një taksë të re për kompanitë e listuara në bursë, kur ato blejnë mbrapsht aksionet e tyre. Kjo taksë e re do të sjellë dhe 1.2 miliardë euro të tjera shtesë në vit në arkën publike.

Pra në total rreth 1.9 miliardë euro përmes të cilave qeveria holandeze do të rrisë pagën minimale dhe transfertat e tjera sociale për familjet me të ardhura të pakta./FT


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë