Menaxhim

Pas ikjes nga Porti i Durrësit, Kreshnik Bajraktari emërohet drejtor i Shërbimeve të Transportit Rrugor

Nga Gazeta ‘SI’ – Kreshnik Bajraktari është emëruar Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), duke zëvendësuar në këtë detyrë Endri Haxhiun.

Prezantimin e ka bërë ministrja e Infrastrukturës dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku. Ajo vlerësoi eksperiencën e tij të gjatë në sektorin e transportit publik dhe portual.

“Kreshnik Bajraktari është inxhinier mekanik, me kontribut të gjatë në transportin publik të Bashkisë së Tiranës dhe si ish-drejtues i Portit të Durrësit. Ai është një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe bashkëpunëtor i mirë”, u shpreh Balluku.

Pas prezantimit, drejtori i ri i Drejtorisë së Transportit, Kreshnik Bajraktari, tha se puna e Drejtorisë do të udhëhiqet nga objektivat e qeverisë për modernizim dhe integrim europian.

“Kjo përputhet plotësisht me vizionin ‘Shqipëria 2030’, të orientuar drejt dixhitalizimit dhe integrimit në Bashkimin Europian. Do të punoj me përkushtim, që besimin e dhënë ta shpërblej vetëm me punë”,  theksoi drejtori i ri i Drejtorisë së Transportit, Kreshnik Bajraktari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë