Gazeta Si - Duke marrë shkas nga denoncimi i deputetit Gazment Bardhit në SPAK, mesazhet në drejtim të disa politikanëve dhe figurave publike përmes aplikacionit “Signal”, janë të manipuluara.
Në një njoftim për mediat, Prokuroria e Posaçme, bën me dije se nga verifikimet e deritanishme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme.
Po ashtu, SPAK i bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara.
Edhe pse nuk përmendet specifikisht Gazment Bardhi, SPAK konfirmon se këto mesazhe i kanë mbërritur disa politikanëve dhe figurave publike dhe shton se po bëhen verifikime.
“Në përgjigje të interesimit të shtuar të mediave informojmë publikun se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal. Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme. Prokuroria e Posaçme, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara”, - thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Një javë më parë Gazment Bardhi dorëzoi telefonin e tij në SPAK dhe ju tha gazetarëve se bisedat që ia kanë dërguar janë të sajuara dhe pas asnjë lidhje me platformat "Sky ECC" apo "Encro Chat".
Bardhi kallëzoi se një person me pseudonimin, “Mbreti Zog”, i kishte dërguar mesazhe me emrat e Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit, poshtë të cilave shkruhej: “Të jesh mirë”. Deputeti demokrat, deklaroi se nuk ka pasur asnjë lidhje me Ervis Martinajn apo ndonjë kriminel tjetër.
Adresa e emailit që mban emrin “Mbreti Zog”, u dërgoi disa mediave dokumentet që pretendohet të jenë zbardhjet e oficerëve të policisë gjyqësore në SPAK, të bisedave të koduara nga aplikacioni "Sky Ecc", mes bosit të zhdukur të krimit, Ervis Martinaj, dhe Erigers Mihasit, i vrarë në Tiranë në nëntor 2021, i përfshirë në grabitjen e dhunshme të prindërve të Elton Çiços në Tepelenë.
Mesazhi i koduar në të cilin Martinaj i kërkonte Mihasit t’i jepte 100 mijë euro Bardhit te një hotel i njohur në Tiranë, pretendohet sipas 2 faqeve dokumenteve në e-mail, të jetë dërguar në shkurt të vitit 2021.
Ervis Martinaj shfaqet si personi që financonte fushatën e PD për zgjedhjet e vitit 2021 me kërkesë të Shkëlzen Berishës, por SPAK thotë se këto mesazhe janë të manipuluara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.