Gazeta Si – Dy ditë ekstradimit nga Dubai, Gjykata e Posaçme ka lënë në qeli, Florenc Çapjen, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm nën akuzën e vrajsjes së babë e bir Nezir dhe Gentian Beqiri në vitin 2012.
Çapja ka akuzuar SPAK se nuk ka kryer veprime për hetimin e vrasjes së babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri dhe pretendon se është dënuar vetëm me thëniet e “një dëshmitari të manipuluar”.
Ai ka kundërshtuar akuzat, duke pretenduar se dosja e tij është lënë pa asnjë veprim hetimor dhe ai është dënuar “vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”.
Çapja është shprehur më tej se nuk ka qenë asnjëherë përdorues i platformës së enkriptuar të komunikimit SKY ECC.
Më tej ai ka pretenduar se nuk është ekstraduar, por ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi ka qenë më herët në Stamboll dhe ka pasur mundësi të largohej.
Në dëshminë e tij Çapja është shprehur më tej se ai nuk i ka kërkuar asgjë Dumanit në lidhje me Sokol Sanxhaktarin.
Ai po ashtu akuzohet edhe për vrasjen e oficerit Fadil Mema në vitin 2006. Gjykata e Elbasanit pushoi çështjen ndaj tij me argumentin se nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje, vendim që u la në fuqi edhe nga gjykata e Durrësit.
Florenc Çapja është një nga emrat më të njohur të botës së krimit. Emri i tij doli në deklarimet e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ç’ka shtyu SPAK të ngrejë akuzë për 44-vjeçarin.
Konkretisht ai dyshohet se i ka ofruar rreth 200 mijë euro Dumanit për të vrarë, Sokol Sanxhaktarin një emër të njohur për policinë në Elbasan.
Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, kjo vrasje e porositur nga Çapja po e parealizuar ishte dhënë pasi Sokol Sanxhaktari konsiderohej lidhje e afërt me kundërshtarin e tij, Suel Çelën.
Ndërkohë Çapja është dënuar me burg përjetë si porositës i vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan.
Ngjarja ndodhi teksa Gentian Beqiri ndodhej në arrest shtëpie nga Gjykata e Elbasanit. Autorët përdorën Etien Canin si personin për të hyrë brenda banesës, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën.
Vrasja dyshohet se u porosit për hakmarrje, pasi Gentian Beqiri akuzohej se ishte implikuar në ekzekutimin e Sokol Çapjes, në vitin 2005.
Për krimin e dyfishtë me burg përjetë është dënuar edhe Ardian Çapja dhe Olsi Leku, ndërsa Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli u dënuan me nga 25 vite burg. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg.
Florenc Çapja jetonte prej 10 vitesh në Emiratet e Bashkuara Arabe, më konkretisht në Dubai. Në vitin 2021 ai u arrestua me qëllim ekstradimin, por u la nën mbikëqyrjen policore. Disa muaj më vonë ai fitoi tërësisht lirinë duke u pajisur dhe me leje qëndrimi.
Por pvarësisht se autoritetet shqiptare nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara, ai u deportua nga Dubai dhe mbërriti të shtunën në Shqipëri nën masa të rrepta sigurie.
Çapja është personazhi i tretë i njohur i botës së krimit që ekstradohet nga Dubai, pas Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes verës së kaluar.
Në janar të vitit 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro 10 pasuri të Florenc Çapjes të ndodhura në Pogradec e në Elbasan, mes të cilave 4 sipërfaqe trualli, dy godina banimi, një bar-kafe dhe një automjet Audi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.