Me një drejtor boshnjak, rikonfirmimin e Alban Bushit dhe tre trajnerë të rinj jo me shumë eksperiencë; kështu ka filluar “revolucioni” në ekipet e moshave të kombëtares. Pas rezultateve të dobëta dhe dështimeve të njëpasnjëshme gjatë këtyre dy viteve të fundit, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që t’i ndryshojë të tre trajnerët e kombëtareve U-19, U-17, U-15.
Kështu vendin e Erion Bogdanit në ekipin U-19, do e marrë Nevil Dede. Pozicionin e lënë bosh nga Xhemal Mustedanagiç te U-17, do e marrë Elvin Beqiri. Ndërsa Eqerem Memushaj do ia lërë vendin Armand Damës, në drejtimin e ekipit U-15.
Në këtë revolucion të nisur nga FSHF, i vetmi nga trajnerët e moshave që ka shpëtuar është Alban Bushi. Tekniku i skuadrës “shpresa” do të vijojë të drejtojë këtë ekip, pasi sipas sekretarit të FSHF-së, Ilir Shulku, ai i ka kapur objektivat e tij, duke çuar disa lojtarë nga ekipi i U-21 në kombëtaren A.
Por emrat e trajnerëve të rinj ishin vetëm një pjesë e strategjisë së re që paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i i FSHF-së Ilir Shulku. Duke filluar nga pozicioni i drejtorit teknik të ekipeve kombëtare, që do të mbahet nga Xhemal Mustedanagiç dhe e gjitha struktura, tashmë do të funksionojë në një mënyrë ndryshe.
Shulku u shpreh se të gjithë stafet drejtuese të ekipeve kombëtare do të punojnë me kohë të plotë në një program të centralizuar që do të përgatitet nga Mustedanagiç. Pra kjo strategji e re sjell më shumë kontroll për stafet drejtuese të ekipeve të moshave dhe gjithashtu synohet që të rritet bashkëpunimi në zinxhir. “Synojmë që të rrisim nivelin e këtyre ekipeve dhe tashmë do të jenë të gjithë këtu dhe të përkushtuar për ekipet e tyre, duke filluar që nga ekipi U-15 dhe deri tek ai U-21. Madje po e them këtu që kjo ishte dhe një nga arsyet që Erion Bogdani nuk do të vazhdojë të punojë me ekipin U-19, pasi ai jeton në Itali dhe nuk mund të jetë këtu ‘Full-Time’.”- u shpreh Shulku.

Xhemal Mustadanagiç tha se objektivi është që te rritet komunikimi mes këtyre ekipeve dhe po shikohet mundësia e krijimit të tre ekipeve të tjera kombëtare. U-16, U-18 dhe U-20, janë në planin e FSHF-së që të krijohen si ekipe me synim që të t’ju jepet më shumë hapësirë lojtarëve që aktivizohen në skuadrat e kampionatit shqiptar. “Foskus të veçantë ne do të kemi në ekipet U-17 dhe U-19, pasi aty është mosha ku talentet shpërthejnë dhe mund të bëhen të vlefshëm menjëherë për ekipin e parë.”- tha Mustedanagiç.
Ky revolucion në FSHF do të përfshijë edhe ekipin e parë. Trajneri Kristian Panuçi tashmë do të jetë i pranishëm në të gjitha mbledhjet që këta trajnerë bashkë me drejtorin Mustedanagiç do të bëjnë për të diskutuar për strategjitë. Ndryshime në ditët e ardhshme pritet të ketë edhe në ekipet e moshave të kombëtareve të femrave dhe në strukturën administrative të FSHF-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




