Art dhe Kulture

Pas debateve e polemikave, shpallen fituesit e Çmimeve “KULT” 2020

Pas një serie debatesh e polemikash publike, Akademia “KULT” shpalli fituesit e edicionit të 16 të Çmimeve “KULT”, çmimet kombëtare vjetore që përfshijnë gjithë gamën e artit dhe kulturës shqiptare.  

Ndryshe nga vitet e tjera, ka munguar Mbrëmja Gala me tapetin e kuq e të ftuarit specialë për shkak të Covid-19.

Por ndonëse në kohë të pazakonta, pas shpalljes së nominimeve, juria e përbërë nga 184 anëtarë, përmes një platforme online ka bërë përzgjedhjen e saj mes qindra shfaqjeve, botimeve, ekspozitave, koncerteve e festivaleve të sjella përgjatë gjithë vitit 2019 duke vlerësuar artistët më të mirë në secilën kategori:

Artisti Pamor i Vitit, Libri Artistik i Vitit, Libri Studimor i Vitit, Përkthimi i Vitit, Regjisori i Vitit, Aktorja e Vitit, Aktori i Vitit, Balerini i Vitit, Instrumentisti i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit dhe Kënga e Vitit.

Këto çmime që jepen nga Akademia KULT promovojnë prurjet kulturore dhe artistike më të arrira të vitit që prej vitit 2005.

Ja cilat janë fituesit e Çmimeve “KULT” 2020:

KENGA E VITIT

MARSELA ÇIBUKAJ – “THËRRIME DASHURIE”

INTERPRETUESI LIRIK I VITIT                                                   

IVANA HOXHA – AZUCENA tek opera “TROVATORE”

BALERINI/A I/E VITIT                                                               

LORI BALA dhe ROVENA SHQEVI – BALETI “ANNUNCIATION” NGA ANGJELIN PRELJOCAJ

INSTRUMENTISTI I VITIT                                                          

KLAJDI SAHATÇI – VIOLINË, MENDELSON & BRAMS, KONCERT ME ORKESTRËN SIMFONIKE TË RTSH

AKTORJA E VITIT                                                                         

EMA ANDREA – LJUBOV ANDREJEVNA tek “KOPSHTI I QERSHIVE”

AKTORI I VITIT                                                                        

INDRIT ÇOBANI – BELIZE’ tek “ENGJËJT E AMERIKËS”

REGJIA E VITIT                                                                        

ARBEN KUMBARO – “ENGJËJT E AMERIKËS”

LIBRI ARTISTIK I VITIT                                                             

TOM KUKA – me romanin “ORA E LIGË”

LIBRI STUDIMOR I VITIT                                                        

ARTAN FUGA – “SHOQËRIA PIRAMIDALE”

PËRKTHIMI I VITIT                                                                    

MIRA MEKSI – “100 VJET VETMI” të MIGUEL GARCIA MARKEZ

ARTISTI PAMOR I VITIT                                                     

GAZMEND LEKA – PIKTURË, EKSPOZITA “DHOMA E HAPAVE TË HUMBUR”

Për ndarjen e çmimeve Kult nuk munguan as polemikat.

Teatri i Shkodrës “Migjeni” dhe Teatri Kombëtar në Tiranë dolën kundër çmimeve “Kult”, duke u shprehur se për shkak të mënyrës si operon Akademia, mënyrës si jepen çmimet dhe jurive që nuk ndjekin shfaqjet, këta dy teatro refuzuan të bashkëpunojnë dhe nuk pranuan që prodhimet e tyre artistike të përdoren.

I pari ishte Teatri “Migjeni” që përmes drejtoreshës Rita Gjeka kërkoi të mos bëhej pjesë e “Kult”, me pretendimin se shfaqja e zgjedhur për të qenë pjesë e konkursit vjetor nuk është ndjekur nga juria përzgjedhëse.

Ndërsa Teatri Kombëtar është shprehur se “nuk e ka njohur asnjëherë ‘Akademinë Kult’ si një organ kompetent për dhënien e çmimeve. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe teatri ‘Migjeni’, një tjetër institucion publik i rëndësishëm i artit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë