Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë ka të ngjarë të ulin përballë njëra-tjetrës në tavolinë Amerikën dhe Rusinë. Vendet e Ballkanit Perëndimor ka të ngjarë të kthehen sërish në fushëbetejën e fuqive të mëdha, pasi Rusia ka filluar të përdorë Serbinë për ta pozicionuar veten si një faktor në arenën ndërkombëtare, ndërkohë SHBA po i kërkon me ngulm Kosovës “paqe” me Serbinë.
Edhe pse ka sinjalizuar vazhdimisht nga ana e saj se nuk do të ndërmarrë një hap pa u konsultuar me Rusinë, Serbia duket se e ka pritur me mjaft skepticizëm ofertën e SHBA-së për t’u angazhuar në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka paralajmëruar se nëse në dialogun Kosovë-Serbi përfshihet edhe Amerika, atëherë Beogradi do të thërrasë Rusinë.
“Nëse ka ndryshuar forma e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në atë mënyrë që në dialog të përfshihet edhe Amerika, atëherë pala serbe duhet të telefonojë Federatën Ruse për të marrë pjesë”, ka thënë Daçiç për portalin serb “B92”. Ai theksoi po ashtu se Beogradi do të jetë plotësisht i përkushtuar për dialog, vetëm kur Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se që nga janari e deri në fund të pranverës, dialogu mes Beogradit dhe Prishtinë do të hyjë në një fazë të re në të cilën do të përfshihet edhe Uashingtoni.

Edhe pse kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga Prishtina zyrtare, presidenti Donald Trump i dërgoi një letër presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, ku i kërkuar të arrijnë një marrëveshje “historike”, duke sinjalizuar se Uashingtoni është i gatshëm të marrë një rol kryesor në negociatat mes tyre.
“Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe qëndrueshmërinë për gjithë Europën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë”, shkruante shefi i Shtëpisë së Bardhë në letrën drejtuar Thaçit.
Ai u ka bërë thirrje që “të gjithë udhëheqësit e Kosovës, ta shfrytëzojnë këtë moment unik, të flasin me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbahen nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes”.
Por edhe zyra e Presidentit serb deklaroi se edhe ajo kishte marrë një letër nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, në të cilën presidenti i SHBA-së, i bënte thirrje Vuçiçit të ushtronte udhëheqjen politike në marrjen e vendimeve të nevojshme për të balancuar interesat e Beogradit dhe Prishtinës. Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq të humbasim këtë mundësi unike për paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike,” tha Trump.

Por kjo ndërhyrje e presidentit amerikan ka të ngjarë t’i ktheje bisedimet në një arenë përplasjesh mes Uashingtonin dhe Moskës, pasi siç kanë treguar zhvillimet e muajve të fundit, as Kosova nuk mund të marrë një vendin të tillë historik pa u konsultuar me SHBA-në dhe as Serbia pa u konsultuar me Rusinë.
Përgjatë tre muajve që lamë pas, Thaçi është takuar plot tre herë me presidentin Donald Trump. Gjatë takimit të fundit, në ceremoninë përkujtimore të Luftës së Parë Botërore, dy presidentët ranë dakort mbi nevojën për të zgjeruar paqen dhe gamën e marrëveshjeve në Ballkanin Perëndimor. Sipas Thaçit, Trump mbështet një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Unë i jam mirënjohës për mbështetjen e tij dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruante Thaçi në një postim në rrjetin social Facebbok, duke dhënë detaje mbi takimin me shefin e Shtëpisë së Bardhë.
Më shumë se 70 liderë botërorë u mblodhën në kryeqytetin francez për 100-vjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore, mes të cilëve u panë duke ecur nën çadra të zeza drejt Harkut të Triumfit edhe Presidentët Hashim Thaçi dhe Alekandër Vuçiç. Edhe pse takimi u zhvillua mes përplasjeve të mëtejshme të interesave të Amerikës, Europës dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin gjetën një pikë të përbashkët: marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Hashim Thaçi dhe Vladimir Putin
Hashim Thaçi është takuar për herë të parë me Presidentin e Rusisë, kundërshtarin më të ashpër të Kosovës. Pas postimit të një fotoje me kreun e Kremlinit, Thaçi shkruan se Putin i ka bërë të ditur se nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë.
“Në Paris u takova më presidentin Putin, u fokusuam në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë presidenti Putin ishte i qartë: Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë”, shkruan Thaçi.
Qëndrimi “paqësor” i Putinit ishte një lëvizje e papritur politike nga ana e Kremlinit, pasi ai është bërë përkrahësi kryesor i Serbisë për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Të dyja vendet kanë përfituar reciprokisht nga bashkëpunimi i tyre, pasi Rusia po provon fuqinë e saj ndërkombëtare nëpërmjet ndikimit të saj në Beograd, ndërkohë që Serbia e përdor Moskën për përfitimet e veta politike. Për Beogradin, miqësia me Rusinë është gjithashtu edhe një karrem për anëtarësimin në BE, duke kërcënuar unionin se të kalojë nën ombrellën politike ruse dhe se do të përhapë ndikimin rus në rajon. Lalë mbështetjes së Rusisë, Serbia siguroi një levë të fuqishme diplomatike në arenën ndërkombëtare. Ndërsa Moska rriti vazhdimisht ndikimin në Ballkan, falë koncesioneve periodike, korruptimit të zyrtarëve vendas dhe lidhjet ekonomike dhe politike me vendet e tjera të rajoni.
Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin u takuan për herë të dytë në Moskë këtë vit, takim pas të cilit presidenti serb dukej i kënaqur me mbështetjen që kishte marrë nga presidenti rus. Vuçiç ka falënderuar homologun e tij rus për mbrojtjen e interesave kombëtare të Serbisë,
“Do doja të shprehja mirënjohjen time të thellë për ju personalisht, zoti President, për qëndrimin tuaj të fortë që ka për qëllim mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar dhe interesat vendimtare kombëtare dhe shtetërore të Serbisë,” i tha Vuçiç Putinit në takimin e tyre më 2 tetor.

Putin dhe Vuçiç diskutuan jo vetëm marrëdhëniet dypalëshe, por dhe tensionet në Ballkan dhe çështjen e Kosovës. Presidenti serb shkoi në Moskë me synimin e vetëm për t’i kërkuar mbështetje presidentit rus për “situatën në Kosovë”. Duke folur për TASS pas rreth dy orësh bisedimesh me Putinin, Vuçiç shprehu kënaqësinë me rezultatin e takimit.
“Morëm gjithçka që kërkuam. Ramë dakord për gjithçka”, tha ai, pa dhënë detaje.
Takimi me Putin erdhi katër ditë pasi Vuçiç urdhëroi ushtrinë serbe të vendosej në gatishmëri luftarake, për shkak të vizitës së Presidentit Thaçi në liqenin e Ujmanit.
Vuçiç deklaroi se mbështetja e Rusisë do të ishte vendimtare për marrëveshjen që do të arrihej me Prishtinën zyrtare, duke sinjalizuar se perëndimi duhet të llogarisë me Rusinë, kur bëhet fjalë për zhvillimet e rëndësishme politike në rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



