Lajme

Pas BE-SHBA, edhe OSBE kundër djegies së mandateve dhe nxitjes së dhunës

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ka dalë kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve parlamentare. Në një deklaratë për mediat, zyra e OSBE-së në Tiranë thotë se vendimi i deputetëve të opozitës për t’u dorëhequr nga Kuvendi, “minon procesin demokratik ligjvënës dhe përbën një heqje dorë nga përgjegjësia e tyre për të përfaqësuar qytetarët që i kanë votuar. Reformat thelbësore dhe gjerësisht të mbështetura po vonohen”.

Prezenca e OSBE-së këshillon fuqishëm që të mos ndërmerret asnjë përpjekje për të tronditur themelet e demokracisë përmes dhunës, që të mos ndryshohet procesi demokratik përmes presionit jodemokratik. Ata që mundësojnë dhe nxisin dhunën do të mbajnë përgjegjësi. “Na vjen keq që paralajmërimet e kaq shumë miqve dhe partnerëve afatgjatë të Shqipërisë nuk u dëgjuan, 0 vijon deklarata. – Bazuar në përkrahjen tonë të kahershme për Shqipërinë, ne bëjmë thirrje për sjellje të përgjegjshme dhe për rifillim të procesit demokratik në Kuvend, një nga arritjet e Shqipërisë demokratike modern”.

Sipas OSBE-së, “Shqipëria ka bërë përparim domethënës përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, në fushën politike, ekonomike dhe shoqërore, duke lënë pas autoritarizmin. Ky përparim duhet të vijojë për të mirën e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe jo të përmbyset në dobi të një grushti dhunuesish”, – mbyllet deklarata.

Një ditë më parë, të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe ambasadori i BE-së në Tiranë dhe ambasada amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë