Lewis Hamilton me Mercedes fitoi garën e parë për këtë kampionat, por për ta arritur këtë iu desh shumë fat dhe po kaq shumë “fatkeqësi” e “fodullëk” nga ana e rivalëve.
Valtteri Bottas u godit nga çarja e gomës, gara e Sebasttian Vettel u shkatërrua nga hyrje në fushë e makinës së sigurisë, që hodhi në erë strategjinë e Ferrarit me goma të forta. E në fund, qershia mbi tortë, që i hapi rrugën fitores së Hamilton ishte përplasja e Max Verstappen me Daniel Ricciardo në xhiron e 40-të të garës.
Azerbajxhani mund të ketë shërbyer si një mësim i mirë për të gjithë dhe tani përpara është Çmimi i Madh i Spanjës. Në 2017, kjo pistë dhuroi po aq emocione sa gara në Baku. Hamilton i vodhi fitoren Vettelit në një pistë ku parakalimet janë thuajse të pamundura.
Përplasja e trefishtë mes Verstappen me Red Bull, Bottas me Mercedes dhe Kimi Raikonen me Ferrari ishte një prej momenteve që përcaktoi fatet e asaj gare. Red Bull dhe Ferrari fajësuan pilotin e Mercedes për këtë aksident, ndërsa në shkallët e tifozëve u fiksua momenti i paharrueshëm i Thomas Danel, fëmija që shpërtheu në lot kur pa që idhulli i tij, Kimi Raikkonen braktisi garën.
Piloti finlandez ngushëlloi tifozin e tij kur e takoi dhe shkrepi me të disa foto.
Kjo ishte drama e ndodhur në disa akte në pistën e Barcelonës sezonin e kaluar. Por çfarë fsheh kjo garë për këtë fundjavë?
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.