Ka ndodhur

Pas 6 ditësh betejë nga ajri dhe toka, shuhet zjarri në malin e Çikës

Gazeta Si – Pas 6 ditësh betejë nga ajri dhe toka me flakët në një terren të vështirë, shuhet zjarri në malin e Çikës në Vlorë.

Falë ndërhyrjes të dy avionëve të ardhur nga Greqia prej disa ditësh, flakët u izoluan dhe situata duket në kontroll.

Sipas burimeve, si rrjedhojë e lagështisë dhe vesës së mëngjesit të kësaj të shtune, vatrat e zjarrit janë shuar.

Ndërsa në zonë ka disa trungje të cilët digjen në brendësi të tyre, të cilat përbëjnë rrezik për riaktivizim e zjarrit sërish.

Situata paraqitet në kontroll, teksa për zonën janë vendosur vëzhgues në çdo rast rreziku.

Flakët kishin avancuar drejt zonës së Dhërmiut dhe Palasës, duke vënë në rrezik shtëpitë e banorëve dhe pushuesit.

Një ditë më parë, u ngjitën në zonën lindore 100 anëtarë të Forcave të Armatosura të ushtrisë, duke mbështetur punën e avionëve grekë nga ajri.

Deri tani raportohet për 90 hektarë pyje me bredha e shkurre të djegura në një vijë 500 metra nga zona mbi fshatin Palasë në afërsi të majës së malit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë