Filma

Pas 18 muajsh Alec Baldwin kthehet në set, rifillojnë xhirimet e ‘Rust’

Nga Gazeta Si - Pas një pritjeje të gjatë, xhirimet e filmit “Rust” me Alec Baldwin do të rifillojnë këtë javë pas një ndërprerjeje 18-mujore për shkak të vrasjes në xhirime të drejtores së fotografisë, Halyna Hutchins. Këtë e kanë bërë të ditur producentët. Filmi ka qenë në pauzë që nga viti 2021.

Alec Baldwin mbante një pistoletë gjatë provave për filmin në shtetin e New Mexico kur qëlloi, duke vrarë Halyna Hutchins dhe duke plagosur regjisorin Joel Souza. Xhirimet e para në shtetin verior të Shteteve të Bashkuara, Montana, ishin pikërisht në “Yellowstone Film Ranch”.

“Produksioni do të vazhdojë të përdorë anëtarët e ekuipazhit të sindikatës dhe do të parandalojë përdorimin e armëve dhe çdo lloj municioni”, tha Melina Spadone, avokate në “Rust Movie Productions”. “Municionet e drejtpërdrejta janë dhe kanë qenë gjithmonë të ndaluara në xhirime”.

Producentët njoftuan në shkurt se filmi do të rifillonte në pranverë, me Matthew Hutchins, bashkëshorti i së ndjerës, që do të shërbejë si producent ekzekutiv. Alec Baldwin ka rënë dakord me gjykatën e New Mexico për kushtet që do ta lejojnë atë të përfundojë xhirimet, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të armëve ose pirjes së alkoolit.

“Megjithëse është e hidhur, jam mirënjohës që një ekip i ri prodhimi i shkëlqyer dhe i përkushtuar, duke iu bashkuar kastit dhe ekipit të mëparshëm, është i përkushtuar për të përfunduar atë që Halyna dhe unë filluam. Çdo përpjekje ime për këtë film do t’i kushtohet nderimit të trashëgimisë së Halyna Hutchins dhe ta bëj atë krenare. Është privilegj të përfundoj këtë projekt në emër të saj”.

Aktori Alec Baldwin pas incidentit

Do të realizohet edhe një dokumentar për jetën e Halyna Hutchins dhe përfundimin e filmit. Qoftë 65-vjeçari Alec Baldwin, bashkëproducent dhe aktori kryesor, qoftë Hannah Gutierrez-Reed, e cila ishte përgjegjëse për armën në xhirime, akuzohen për vrasje. Nëse shpallen fajtorë në gjyq, ata përballen me 18 muaj burg dhe 5000 dollarë gjobë.

Seanca paraprake është caktuar për në fillim të majit. Alec Baldwin, i cili u deklarua “I pafajshëm”, përsëriti disa herë se ekuipazhi i tha atij se arma nuk ishte e mbushur. Dave Halls, koordinatori i sigurisë së filmit dhe ndihmësi i regjisorit, i cili i dha Baldëin armën e mbushur, u pajtua me prokurorët dhe u dënua muajin e kaluar me gjashtë muaj burgim me kusht. /La Repubblica/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë