Futboll

Partizani zbarkon në Antalia, dy miqësore turke për kampionët në fuqi para kampionatit

Gazeta Si – Partizani është një nga skuadrat e Superiores që ka zgjedhur ta zhvillojë fazën e shkurtër përgatitore të dimrit jashtë vendit. Kampionët në fuqi kanë shkuar në Turqi, ku kushtet janë më të mira në çdo aspekt.

Skuadra e drejtuar tashmë nga trajneri Orges Sehi ka zhvilluar sot edhe seancën e parë stërvitore në Antalia. Sipas klubit kryeqytetas, Partizani ka programuar edhe dy ndeshje miqësore në Turqi, një ndaj azerëve të Neftçi Baku dhe një ndaj holandezëve të Volendam.

Janë ndeshje që do ta ndihmojnë trajnerin e ri të të kuqve dhe stafin e tij për stabilizuar formacionin para rinisjes së kampionatit javën e dytë të janarit. Shehi do të shohë me vëmendje gjithë lojtarët që ka në dispozicion për të bërë pastaj zgjedhjet që mendon se janë më të mirat për ekipin.

Me mbylljen e fazës së dytë, nga Partizani ka pasur disa largime. Ato nisën me Eros Grezdën, për të vazhduar me brazilianin Da Silva, Bilalin dhe Koçijan. Kampionët në fuqi të vendit pritet të përforcohen me ndonjë element cilësor gjatë merkatos së dimrit, pasi synojnë ta mbrojnë kurorën, por aktualisht janë 5 pikë pas Egnatias.

Nga skuadrat shqiptare edhe Vllaznia ka shkuar jashtë vendit për stërvitje, konkretisht në Mal të Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë