Gazeta Si – Ndalesa e Egnatias në Durrës nuk është shfrytëzuar nga Partizani. Të dyja skuadrat kryesuese barazuan në ndeshjet e sotme dhe gjithçka mbeti si më parë, me rrogozhinasit 3 pikë para të kuqve.
Një situatë anormale po kalon Partizani, që e ka harruar fitoren prej 5 javësh. Janë 5 barazime radhazi, që vërtet janë rezultate pozitive, por për kampionët në fuqi kanë kosto, sepse në total janë 10 pikë të lëna. Edhe sot në fushën e tyre ata nuk mundën të rigjenin fitoren përballë Skënderbeut.

Juri Merlin kaloi miqtë nga Korça në avantazh në fundin e pjesës së parë. Sapo nisi e dyta Mba barazoi shifrat dhe u duk se Partizani po shkonte drejt fitores, por gol tjetër nuk do të kishte në ‘Arena e Demave’ dhe dy ekipet kanë ndarë nga 1 pikë. Ecuria me ‘frena dore’ e kampionëve do të thotë se edhe trajneri Arbër Abilaliaj është i rrezikuar.
Një ndeshje dramatike ishte ajo mes Teutës dhe Egnatias në ‘Niko Dovana’. Teuta udhëhiqte deri 2 minuta para fundit, kur Egnatia barazoi rezultatin, ndërsa shtesat ishin vërtet drithëruese. Durrsakët fituan një penallti, që Karabeci e ktheu në gol dhe teksa po bëheshin gati të festonin fitoren e munguar prej shumë javësh, në sekondat e fundit, rrogozhinasit barazuan në 2-2.

Egnatia kryeson Superioren pas javës së 15-të, me 34 pikë. Teuta qëndron në ekstremin tjetër të renditjes, e fundit me 15 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




