Drejtësia

‘Partizani’ / Pas Berishës dhe Malltezit, merret i pandehur ndërtuesi Fatmir Bektashi dhe trashëgimtari i tokës, Xhimi Begeja

Gazeta Si - Një ditë pas ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzë këtë të enjte edhe ndërtuesit, Fatmir Bektashi dhe trashëgimtarir të tokës, Xhimi Begeja, për aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani".

Për ndërtuesin e kullave, Fatmir Bektashi, SPAK i ka komunikuar akuzat "korrupsion aktiv" dhe pastrim parash".

Ndërsa për ortakun e Jamarbër Malltezit, Xhimi Begeja, i cili është marrë i pandehur për këtë aferë, akuza e SPAK është "pastrim parash".

Xhimi Begeja në SPAK

Kështu, shkon në 4 numri i personave të pandehur për aferën e privatizimit të klubit sportiv "Partizani" në Tiranë.

Sipas dosjes, SPAK thotë se Bektashi është personi që ka korruptuar Jamarbër Malltezin dhe ky i fundit më pas ish-kryeministrin Sali Berisha kur ishte në pushtet.

Po ashtu, Bektashi akuzohet nga SPAK se ka bashkëpunuar me Jamarbër Malltezin në transferimin e fitimit prej 5.4 milionë euro nga ndërtimet në ish truallin e kompleksit "Partizani".

Ndërsa Begeja, ka qenë pjesë e hetimeve, por nuk është hetuar në masë sigurie, ndërsa Fatmir Bektashi është hetuar nën masën e sigurisë "detyrim me paraqitje" .

Të dy u paraqitën sot në SPAK së bashku me avokatët e tyre për t'u njohur me akuzën dhe provat dhe kanë 10 ditë afat për të shqyrtuar akuzat. Asnjë prej biznesmenëve nuk pranoi të jepte prononcim për mediat.

Një ditë më parë, Sali Berisha u paraqit në SPAK, ku u mor i pandehur për "korrupsion pasiv". Po ashtu edhe dhëndri i rij Jamarbër Malltezi, u mor i pandehur nga SPAK për "korrupsion aktiv" dhe "pastrim parash".

SPAK e akuzon Berishën se në kohën kur ka qenë kryeministër i vendit, ka ndryshuar ligje dhe vendime qeverie për të favorizuar dhëndrin e tij për të përfituar në mënyrë të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë