Gazeta Si – Partizani hap sot një faqe të re në historinë e tij. Klubi i madh kryeqytetas bëhet me shtëpi të re pas një kohe të gjatë dhe ky është një gur shumë i rëndësishëm themeli për të ardhmen. Skuadra ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore në kompleksin e ri, që ndodhet në zonën e Tufinës.
Punimet për këtë kompleks kishin disa vite që kishin nisur dhe inaugurimi ishte shtyrë disa herë, por më në fund ka ardhur dita që të kuqtë të mos bredhin më sa andej-këndej për stërvitje, sepse tashmë kanë selinë e tyre. Fillimi i stërvitjes është vetëm hapi i parë, sepse në këtë kompleks Partizani do të zhvillojë së shpejti edhe ndeshjet zyrtare.

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, natyrisht prezent në këtë ditë të shënuar, ka folur shkurt para ekipit: “Po bëjmë një investim gjigant, sot po shkelni për herë të parë fushën e re dhe shpresoj të na shkojë mbarë. Tregoni veten tani”, – tha ai.
Çështja e infrastrukturës sportive ka qenë më e ndjeshmja në Shqipëri, jo vetëm se kanë munguar investimet në pjesën më të madhe të klubeve, por edhe për faktin se skuadra të mëdha si Partizani, Dinamo apo ndonjë tjetër dolën në rrugë, pasi iu morën komplekset e mëparshme sportive. Tashmë po bëhen hapa përpara edhe në këtë drejtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.