Gazeta Si – Partizani dhe Egnatia, dy skuadrat që kryesojnë renditjen, luajnë sot ndeshjet e tyre për llogari të javës së 16-të të Superiores. Partizani pret Skënderbeun, kurse Egnatia shkon në Durrës për t’u ndeshur me Teutën.
Është një duel në distancë për kreun, ku Partizanit nuk i falet një tjetër gabim. Kampionët në fuqi vijnë pas 4 barazimeve radhazi, që i kanë lënë 3 pikë pas Egnatias. Fitorja sot është një detyrim për skuadrën e Abilaliajt, pavarësisht mungesave që mund të ketë.

Skënderbeu vjen në kryeqytet pas një ecurie të mirë në javët e fundit. Korçarët aktualisht mbajnë vendin e 4-t dhe sot do të kënaqeshin edhe me një barazim.
Egnatia ka një ndeshje të lehtë në letër, sepse Teuta mban vendin e fundit dhe duket në një krizë të thellë. Megjithatë, rivalët në garën e mbijetesës janë afër dhe një fitore e mundshme do ta ngrinte shumë. Durrsakët nuk kanë asgjë për të humbur përballë skuadrës më të mirë të momentit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




