Politike

Partitë fryjnë anëtarësinë për të justifikuar financimet

Në tryezën e dytë të organizuar nga OSBE për reformën në drejtësi kryetemë ishte financimi i partive politike. Fakti i organizimit të një tyreze të veçantë vetëm për këtë temë tregon sesa delikate, e njëkohësisht problematike shihen nga organizmat ndërkombëtarë të ardhurat që sigurohen nga subjektet politike.

Si pjesë e shoqërisë civile në këtë tryezë merrte pjesë edhe kreu i Institutit për Studime Politike, Afrim Krasniqi.

“Debati rreth financimit partiak e elektoral në vendin që me Kushtetutë do të duhej të bënte "kurdoherë publike" financimet dhe shpenzimet, por që asnjlherë nuk i ka bërë. Reformat serioz kërkojnë qasje serioze, - ligj të ri mbi partitë politike, rishikim të sistemit përfaqësues, ligj integral mbi financimin dhe transparencën dhe reformim thelbësor të partive politike”, deklaron ai.

Pak ditë më parë, ISP publikoi gjetjet e një vëzhgimi nga procesi i zgjedhjes së delegatëve të Kongresit në Partinë Socialiste. Në këtë vëzhgim, Instituti vëren anomali në shifra, krahasuar me zgjedhjet e 30 qershorit.

“Në zgjedhjet lokale 2019 ajo (PS) fitoi 564679 vota nga 110120 anëtarë të saj, pra 5.1 vota për 1 anëtar, – një nga përqindjet më të larta të një partie të madhe politike në Europë”, thotë ISP.

Vetë PS deklaron se në zgjedhjet për delegatët morën pjesë rreth 75 mijë votues. Pra, shifra e atyre që nuk votuan në zgjedhjet e brendshme të PS ishte rreth 26 për qind e anëtarësisë. Nisur nga kjo, ISP ngre një pyetje.

“Si është e mundur që 100% të anëtarëve të mobilizohen dhe të sigurojnë + 5 vota per person në zgjedhjet lokale pa kandidatë rivalë (30 qershor 2019) dhe 26% e tyre të mos angazhohen dhe të mos marrin pjesë në zgjedhjet me konkurrentë 5 muaj më vonë (nëntor 2019)?”, thotë ISP.

Kjo anomali, sipas Institutit të Studimeve Politike shpjegohet me të dhëna fiktive dhe fryrje anëtarësie nga ana e partive politike për të justifikuar të ardhurat financiare.

“Partitë deklarojnë të dhëna fiktive të anëtarësisë dhe më pas deklarojnë se këto anëtarë kanë financuar partinë me kuota anëtarësie. Pra, shifrat fiktive shërbejnë si alibi për të justifikuar prurjet financiare në parti sidomos në fushata elektorale, si kontribute të anëtarëve dhe të ardhura të ligjshme nga kuotat e anëtarësisë. E njëjta situatë edhe me partitë e tjera të majta e të djathta, të cilat deklarojnë anëtarësi fiktive dhe bashkë me to edhe financim fiktiv”, vëren ISP.

Instituti kujton se kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe vepër penale, ndërsa si mekanizëm që zgjidh këtë problematikë propozon modelin estonez.

“Estonia ka database online të të gjithë anëtarëve të partive politike, kuotave të tyre të pagesës në parti dhe donacioneve të tyre për partinë/fushatën elektorale. Estonia nuk e quan këtë “të dhëna personale” por “të mirë publike” dhe transparencën e Regjistrit e konsideron standard demokracie dhe kriter për integritetin e një partie politike. A mund ta bëjmë këtë në Shqipëri? Natyrisht që po. Përfitimet do të ishin të shumëfishta: partitë do të ishin më transparente, financimi elektoral e partiak do të ishte më transparent, sistemi përfaqësues do të ishte më transparent, kufiri ndarës midis militantëve në parti dhe administratës publike do të ishte më i qartë, mbështetja nga individë me rekorde kriminale, apo burime informale do të ishin më transparent dhe nga ana tjetër, angazhimi në parti nuk do të kishte vlerën e përfitimit të vendit të punës/tenderave/privilegjeve/statusit social/imunitetit siç e ka në Shqipëri, por do të kishte vlerën e përgjegjësisë personale dhe vizionit për të kontribuar për shoqërinë e vendin”, propozon Instituti i Studimeve Politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë