Vasil Stejrovski, sekretari i përgjithshëm i partisë së vetme maqedonase në Shqipëri, Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian (AMIE), do të jetë deputet në Parlamentin e Shqipërisë.
“Pas njoftimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, Komiteti Ekzekutiv i AMIE-së mori vendim që Sterjovski ta pranojë mandatin e deputetit dhe të përfaqësojë në Parlament programin e Aleancës së Maqedonisë për Integrim Evropian (AMIE), si pjesë e opozitës parlamentare”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij subjekti politik. Lajmit për marrjen e mandatit e një partie të pakicave maqedonase i është bërë jehonë nga mediat e Maqedonisë së Veriut. Stejrovski ka plotësuar formularin e Dekriminalizimit dhe e ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në qershor të vitit 2017, kjo parti politike ishte pjesë e koalicionit zgjedhor të kryesuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Mbi bazë të marrëveshjes, Vasil Sterjovski ishte i pesti në listën e kandidatëve të LSI-së për Qarkun e Korçës. Ai do të zërë vendin e deputetit të LSI-së, Edmond Panariti, si i vetmi fitues në listën e LSI-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Sterjovksi jeton në Pustec në zonën ku ka popullsi të minoritetit maqedonas. Në deklaratën e depozituar në KQZ, ai shkruan se nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar më parë dhe se i vetmi ndryshim është viti i lindjes nga vitit 1982 në 1983, si dhe mbiemrin nga Stjero në Sterjovski.
KQZ-ja pritet që në mbledhjen e ardhshme t’i japë mandatin e deputetit Sterjovskit, duke bërë që në Parlament të ketë edhe një përfaqësues të Aleancës së Maqedonisë, përveç pranisë së deputetit të PBDNJ-së, Ligoraq Karamelo, i zgjedhur po nga Qarku i Korçës.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




