Lajme

Parlamenti vë kusht për kryeprokurorin e SPAK: Brenda vitit


Nuk ka një afat për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, por kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi gjatë raportimit në komisionin e Ligjeve ka shpjeguar se të hënën pritet vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për ankesën e paraqitur nga ana e Lulzim Alushaj, pasi kontestoi skualifikimin. Vendimi për Alushajn po mban peng edhe procesin e KLP për të vijuar hapat e mëtejshme për kandidatët për kryeprokuror.
Ibrahimi u shprehur i rezervuar për të dhënë një datë, ndërsa kontestoi haptasi kandidatin Alushaj. “Ai nuk i plotëson kriteret minimale në karrierë, le të mos themi se duhet të ketë 15 vite si jurist i shquar. Por gjithsesi gjithkujt i lind e drejta që të ankimojë në gjyq. Për ne është i skualikfuar nuk i plotëson kriteret, pra është ish-kandidat”, theksoi Ibrahimi. Kreu i KLP-së theksoi se nëse të hënën apo të martën del vendimi i Gjykatës, atëherë brenda 10 ditësh do të realizohen intervistat me tre kandidatët që janë në garë.

Lulzim Alushaj, avokati që ka ankimuar vendimin e KLP-së për skualifikim nga gara për kryeprokuror

Të gjithë kandidatëve Arta Markut, Olsjan Çela dhe Fatjona Memçaj do t’i realizohen intervista në një ditë. “Ne i lemë 10 ditë kohë për intervistën. Ky proces na shërben për të realizuar pikëzimin e kandidatëve, që shumë i thjeshtë për ne dhe se maksimumi për dy ditë del renditja e kandidatëve, e më pas ua kalojmë ju që të vendosni”, u shpreh Ibrahimi.
Akuzat e Ramës për KÇK-në
Ibrahimi është pyetur nga deputetët e komisionit të Ligjeve edhe për për akuzat e kryeministrit Edi Rama për një grup të rrezikshëm kriminal që vepron në sistemin e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë që ende nuk e kanë kaluar vettingun, të quajtur KÇK , (Kap Ç’të Kapësh). Kreu i KLP-së i ka cilësuar këto si politike dhe që nuk përbëjnë sipas tij indicie për të hetuar nga Këshilli. “Kryeministri Edi Rama bëri një akuzë të përgjithshme dhe politike, si të tillë e kemi trajtuar edhe ne. Nuk është se po bëjmë një hetimit të thelluar, por po e shohim në përgjithësi. Nuk mjafton për të bërë gjyq”,-u shpreh Ibrahimi në Komisionin e Ligjeve. Ai i është përgjigjur pyetjes se Spartak Braho i cili kërkoi që SPAK të ngrihet edhe me gjysmën e prokurorëve. Gent Ibrahimi tha se ‘kemi 8 prokurorë që mund ti emërojmë të cilët kanë kaluar vettingun nga 15 kandidatë. Dhe në momentin që i emërojmë SPAK fillon punën. Por, nëse i emërojmë këta 8 prokurorë në SPAK, atëherë i bie që çdo prokuror do të ketë mbingarkesa shumë të madhe. Shumë shpejt do të kolaudojmë në krijimin e SPAK. Procesi i krijimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jetë i gjatë”. Kreu i KLP-së gjatë fjalës së tij nuk ngurroi që të shprehte edhe rezerva edhe në lidhje me mënyrën se si po shkon procesi i Vettingu, i cili po zgjat në kohë.
Manja u vë kushte brenda vitit SPAK dhe Kryeprokurori
Seanca e sotme e raportimit në komisionin e Ligjeve nuk ka kaluar pa përplasje mes deputetëve dhe anëtarëve të KLP-së. Kryekomisioneri Ulsi Manja në fjalën e tij ka kërkuar që në mënyrë ultimative që Këshilli të miratojnë brenda vitit Prokurorin e Përgjithshëm dhe anëtarët e SPAK-ut. “Brenda këtij viti Shqipëria, duhet të ketë prokuror të përgjithshëm me mandat kushtetuese dhe SPAK, kemi 8 prokuror që kanë kaluar shkallët në procesin e Vettingut.. Zbatoni neni 128/dh të ligjit , ku Prokuroria e Posaçme përbëhet nga të paktën 10 prokurorë, kuadri ligjor e ka zgjidhur këtë. Kemi goxha prokurorë në sistem që e kanë kaluar mund të përcaktohet me emërime të përkohshme ose lëvizje paralel. Ligji ia lejon prokurorit të përgjithshëm të realizojë lëvizje paralele. Ky është mendimi im. Ky është mendimi im që struktura duke i respektuar integritetin e saj. Për të ngritur në cenim do të ishte fraxhile për mendim tim dhe do të sulmohej nga politika”, theksoi Manja.

Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Gazeta Si, 18 tetor 2019


Si shqetësim i ngritur nga kryekomisioneri është fakti që deri më tani kanë kaluar 88 prokurorë, ndërsa janë 366 prokurorë në sistem që presin të kalojnë këtë fazë të vettingut. Manja gjithashtu reagoi edhe për qëndrimin që Ibrahimi mbajti për deklaratat e Ramës për KÇK-në. “Duhet t’i përgjigjeni sensibiliteteve të opinionit publik për prokurorët, siç e kam përcjellë për KED për nevojën e emërimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, theksoi Manja. Por kreu i KLP-së, Ibrahimi nga ana e tij nuk ngurroi që të shprehte rezervat për mos miratim të amendamenteve ligjore nga Parlamenti, duke shtuar se pas dy vitesh shkolla e Magjistraturës nuk ka të parashikuar të nxjerrë prokurorë. “Për këtë fajin e keni ju që nuk i miratuar amendamentet ligjore”, theksoi Ibrahimi. Një tjetër shqetësim për SPAK është fakti se prokuroria e Posaçme duhet të krijojë edhe Byronë Kombëtare të Hetimit, institucioni që ka të drejtën të nisë hetimet. Gjithashtu jo pak problematike është dhe fakti i mungesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë