Kosova

PE u kërkon 5 vendeve të BE-së të njohin Kosovën

Parlamenti Europian do t’u bëjë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Europian, që nuk e kanë njohur Kosovën, të pranojnë pavarësinë e saj.

Kjo ftesë e PE-së përsëritet në draft-raportin për Kosovën, të përgatitur në Komisionin e Politikës së Jashtme nga raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon. Kjo thirrje nuk është e re, pasi Parlamenti Europian vazhdon të jetë i vetmi institucion i BE-së që nga fillimi i referohet Kosovës si shtet dhe kërkon vazhdimisht nga shtetet anëtare që ta njohin Kosovë si shtet të pavarur.

Në draft-raport thuhet se Kosova po vazhdon të vuajë nga jostabiliteti politik, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2019. PE i kërkon Kosovës që të shtojë përpjekjet për të adresuar problemet në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin ekonomik. Po ashtu, raporti shprehet keqardhje për shuarjen e task-forcës anti-korrupsion brenda Policisë së Kosovës.

Raporti nënvizon se Kosova vazhdon të jetë i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilit kanë nevojë për viza për të udhëtuar në zonën Shengen, edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave që në vitin 2018.

Prandaj me këtë raport, bazuar në draft-tekstin e tij, eurodeputetët mirëpresin përsëritjen e qëndrimit të Komisionit Evropian se Kosova mund të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe i bëjnë thirrje Këshillit që urgjentisht të lëvizë drejt vendosjes së regjimit pa viza për qytetarët e Kosovës.

Parlamenti Europian, përmes këtij raporti, kërkon nga Kosova që të shtojë përpjekjet në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të dëshmojë më shumë vullnet politik edhe në përmbushjen e kushteve të caktuara me agjendën e reformave evropiane (ERA).

Po ashtu PE ai shpreh keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shuar Ministrinë e Integrimeve Europiane, por kërkon që strukturat e reja të kenë kompetenca, në mënyrë që të jenë në gjendje të koordinojnë procesin e integrimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë