Gazeta Si – Parlamenti i Bashkimit Europian dënon vdekjen e mijëra punëtorëve emigrantë dhe dëmtimet e pësuara nga punëtorë të tjerë gjatë përgatitjeve për Kupën e Botës 2022 në Katar. Deputetët shprehen në një komunikatë se “Katari e fitoi garën për të pritur Kupën e Botës me një sërë akuzash për korrupsion për FIFA-n”.

Në përshkrimin e korrupsionit brenda FIFA-s theksohet se ai është “i përhapur, sistematik dhe i thellë”. Deputetët e Parlamentit të BE-së vënë në dukje po ashtu mungesën e transparencës dhe mungesën e qartë të një vlerësimi përgjegjës për rreziqet që ka sjellë zgjedhja në 2010-ën e Katarit si vend organizator i Botërorit.
Në komunikatë shkruhet se “FIFA ka dëmtuar seriozisht imazhin e integritetit të futbollit botëror”. Parlamenti nxit vendet e BE-së, veçanërisht ata me kampionate më të forta, si Gjermania, Franca, Italia dhe Spanja të ushtrojnë presion mbi UEFA-n dhe FIFA-n derisa kjo e fundit të impenjohet për realizimin e reformave thelbësore.
Mes këtyre reformave është edhe “futja e procedurave demokratike dhe transparente për zgjedhjen e vendit që pret Botërorin e futbollit, si dhe aplikimi rigoroz i të drejtave të njeriut dhe i kritereve të besueshmërisë për vendet organizatore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



