Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, vizituan sot parkun eolik të Tropojës, një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e energjisë vendas.
Për kreun e qeverisë, parku me kapacitet 600 MW, me financim nga kompania amerikane CWP është dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme. Rama u shpreh se projekti do të përfundojë brenda një viti dhe se vendi synon të bëhet plotësisht i pavarur energjitikisht.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se tashmë Shqipëria do të jetë një vend sovran në prodhimin e energjisë.
“Më vjen shumë mirë që ne sot finalizojmë një përpjekje 2-vjeçare. Një përpjekje e përbashkët me kompaninë e mirënjohur për gjithë procesin përgatitor. Ne shpresojmë që gjithçka të shkojë ashtu siç duhet. Ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë, të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Edhe ky investim shkon në atë drejtim strategjik dhe në rrugën e përmbushjes së atij objektivi të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë vend sovran në prodhimin e energjisë. Kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar dhe të blejmë energji me çmime të kripura, ndërsa kur shiu ka ardhur me shumicë shumë nga kjo vlerë potenciale që është uji të derdhet. Koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit. Do të jemi në kategorinë e atyre vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna të prodhimi i kësaj lënde vitale për organizmin e një shteti”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, deri në fund të kësaj dekade, 30% e energjisë së prodhuar në vend do të jetë nga era dhe dielli. “Me këtë 30% do kemi të garantuar që sistemi ynë do të jetë i vetëmjaftueshëm dhe cdo gjë e prodhuar përtej nevojave tona do ta eksportojmë. Kjo do të thotë jo më para për të blerë energji, por energji e shitur për të sjellë më shumë të ardhura”, tha kreu i qeverisë.
Nga ana tjetër, për ministren Balluku, projekti i financuar nga amerikanët është një provë që tregon besimin e investitorëve të huaj në Shqipëri.
Parku eolik i Tropojës nuk është vetëm një investime energjike, por është dëshmi i transformimit që po merr Shqipëria. Dëshmon sektori energjetik shqiptar po kalon në një fazë të re. Shqipëria tashmë nuk është më e varur. Po shkojmë drejt një ekonomie të qëndrueshme. Ku tranzicion nuk është vetëm një ide apo premtim, është një realitet që po merr formë çdo ditë. Është një skemë e re energjetike që bazohet në krijimin e energjive alternative. Është një realitet që po merr formë çdo ditë. Investimet e huaja janë një tregues mbi besimin tonë strategjik. Ky besim, sot është i dukshëm dhe i gatshëm. 1.5 miliardë euro investime private janë në proces”, tha ministrja Balluku.
Balluku theksoi se këto investime rrisin te ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale duke sjellë edhe vende të reja pune duke shtuar se sektori energjitik luan një rol kyç edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



