Nga Gazeta “SI”– Pirateria dhe vjedhja e librave ka qënë shqetësimi për të cilin “Shoqata e Botuesve Shqiptarë” ka mbajtur sot një konferencë për shtyp me kërkesë të Presidentit të shtëpisë botuese Onufri, Bujar Hudhri, i cili para pak ditësh denoncoi blerjen e librave të vjedhur nga komuna e Tetovës.
Kjo padi e kryer në Gjykatën themelore të Tetovës ndaj kryekomunarit Bilall Kasami, ka nxitur tashmë edhe reagimin e botuesve të tjerë shqiptarë të cilët preken nga ky fenomen.
Bujar Hudhri: Fakti që në Kosovë dhe Maqedoni jepen shumë para për librin, e kthen në një mundësi për abuzim dhe përfitim
Duke shprehur indinjatën por këtë fenomen tashmë shtetëror, Hudhri tha se piratimi i librave shqip po i demton rëndë shtëpitë botuese shqiptare . Arsyeja pse ky fenomen është kaq i përhapur në Kosovë dhe Maqedoni lidhet me faktin se shteti atje jep më shumë para për blerje librash duke e kthyer në biznes piratimin.
“Piratimi i librave është një fenomen i njohur që nis edhe nga Shqipëria. Kemi shume probleme edhe këtu. Shumë librari dhe individë i shtypin librat origjinalë dhe ne nuk po ia dalim dot. Duke kaluar të Kosova. Atje jepen shumë para për blerje librash, pra gati 1.5 milion euro dhe piratimi sigurisht ndodh mbi baza përftimi. Librat atje piratohen në marrëveshje me zyrtarë të komunave duke i korruptuar dhe librat e piratuar i çojnë direkt dhe në biblioteka duke mos pasur mundësi ti shohë askush. Është një mundësi e artë për abuzim”
Ai shtoi se duke iu referuar rastit konkret, komuna e Tetovës jashtë çdo llogjike dhe përgjegjësie ka blerë jo pak por pesë mijë libra të cilat janë dhuruar për bibliotekat e shkollave, ku shumica e tyre janë tituj të vjedhur pa të drejtë autori.

“Duke ardhë të Maqedonia e Veriut, dhe rasti konkret i cili na ka mbledhë këtu, pirateria dhe vjedhja ka arrit nivele shumë të larta sa që është përfshirë dhe vetë shteti. Vetë kryetari i komunës blen një mall të vjedhur. Pesë mijë libra që janë blerë dhe janë demostruar dhe mburrur në media dhe rrjete sociale ku ai shkon si mesia dhe të gjithë e ndjekin nga pas.
Unë vajta e denonocva pra e hodha në gjyq për arsye se shteti është përfshirë direkt nëpërmjet tij. Dëmi është i madh si ekonomik por dhe moral sepse librat janë të shtypur në mënyrë skandaloze, me kopertina të shëmtuara dhe me cungime. Ismail Kadare, Gabriel Garcia Markez dhe Petro Marko janë autorë që janë piratuar dhe shitur pa të drejtë autori”
Hudhri thotë se qëllimi i konferencës për shtyp është sensibilizimi i opinionit publik nëpërmjet mediave, duke shtuar se shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë për librin duke mos i dhënë rëndësi kulturës shqiptare.
“Unë e kërkova këtë konferencë shtypi për të rrëfyer dhe bërë të ditur se ne ç’kushte punojmë ne botuesit shqiptar. E ritheksoj se në Maqedoni duke qënë se jepen shumë para për librat, piratimi është kthyer në biznes të pastër.
Në Shqipëri piratimi është në nivele më të ulëta për këtë arsye pasi shteti këtu nuk do t’ia dijë për librin dhe nuk blen asgjë. Unë doja që nëpërmjet mediave të sensibilizojmë këtë fenomen që po e dëmton shumë librin. Në këto probleme ne kemi aleat vetëm median pasi shteti aty është dhe nuk do t’ia dijë fare. Nëse atyre u dhimbset kultura shqiptare le të ndërhyjnë dhe ta zgjidhin problemin” ka përfunduar Hudhri
Petrit Ymeri: Pagesa e doganës së librit me tre shtete të tjera shqipfolëse është absurditet
Nisur nga fakti që tashmë vjedhja dhe pirtateria e librave ka arritur në nivele shtetërore, Kryetari i ‘Shoqatës së botuesve shqiptarë” Petrit Ymeri theksoi se ngjarja e Tetovës përshfaq një dukuri e cila nuk është e re por që në këtë rast ka tejkaluar strukturat private duke u kthyer në një fenomen shtetëror.
“Ne si shoqatë botuesish jemi njohur me ngjarjen e ditëve të fundit ku librat e Shtëpisë botuese Onufri janë vjedhur dhe piratuar në Maqedoni, konkretisht në Tetovë. Një dukuri e cila për fat të keq është e njohur edhe në Shqipëri. Ne prej vitesh e kemi luftuar fenomenin e piraterisë, konkretisht procesin e rishtypjes së librave në forma ilegale dhe shpërndarjen e tyre në librari”
Ai thotë se problemi i piraterisë ka vite që ka nisur dhe është shumë i përhapur kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, duke e theksuar rastin e fundit si skandaloz.
“Ky problem është shumë evident dhe në Kosovë, në shtëpi të vogla botuese por dhe të mëdha. Por rasti i Tetovës është skandaloz pasi Maqedonia dhe Kosova japin shumë fonde për blerje librash dhe në këtë pikë është i përfshirë shteti drejtpërdrejt duke i blerë si në rastin e Kasallit dhe madje duke dalë dhe si filantrop në rrjete sociale me libra të vjedhur”

Por nga Shqipëria, në Kosovë dhe Maqedoni, problemet me librin dhe recpetimin e tij mbeten të shumta, shpesh dhe të pakuptimta. Këtë e vë në dukje Ymeri i cili thotë se botuesit shqiptarë, paguajnë doganë për librin në tre shtetet shqipfolëse. Sipas tij një absurditet.
Në fund Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri shtoi se edhe vjedhja e librit digjital është një problem i cili tashmë ka lindur në Shqipëri.
“Në Shqipëri po përhapet tashme dhe që është shumë e dëmshme, pirateria e librave digjital. Libra që skanohen dhe futen nëpër portale të ndryshme. Dhe që shiten pastaj. Thonë që s’ka ligj që i kap, por ligj sigurisht që ka por nuk është vullneti mbase. Është shumë shqetësuese piraterimi i librit elektronik”
Botues që nuk mbështesin botuesit.
Ajo që ra në sy, ishte mungesa e botuesve të shumtë në konferencën e thirrur nga Shoqata e botuesve. Përjashto pak botues të cilët u sensibilizuan me thirrjen e Bujar Hudhrit, të shumtë ishin ata botues që preferuan të mos ishin prezent. Nën zë, thuhet se edhe kjo e ka një arsye.
Duke qenë treg i vogël dhe me interesa të lidhura ngushtë me shtetin, shumica e botuesve preferojnë të heshtin dhe t’i zgjidhin problemet në mënyrë ‘undergorund’, ku me rryshfet e ku me miqësira të cilat jo pak herë kanë përshfaqur disnivelin e përfitimeve në tendera blerjesh të librave shkollor dhe jashtëshkollor. Edhe ky një problem i cili herë pas here nxit debate publike nga grupet e interesit, nisur që nga botuesit e deri te shkrimtarët të cilët akuzojnë shpesh për favorizime faktorësh të caktuar.

Librat po lexohen çdo ditë e më pak e ndërkohë hallet e botuesve rriten çdo ditë e më shumë. Ndihma e shtetit si amortizues i humbjeve por edhe si mbështetës i politikave të librit, sipas botuesve është e papërfillshme, çka na jep një panoramë të “trishtë” të librit dhe ndikimit të tij në shoqërinë tonë. Ajo çka jep optimizëm është se problemet tashmë po evidentohen dhe po “bërtiten” së paku për t’ia nisur diku si rasti i Hudhrit, me shpresën se libri, do të rikthehet të jetë sublimues i jetës shpirtërore dhe intelektuale ndër shqiptarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.