Njerez

Parashqevi Qiriazi, misionarja e arsimit shqiptar

Nga Gazeta “SI”- Parshqevi Qiriazi është një nga gratë  që i dha historisë së Shqipërisë një kontribut të madh dhe të qëndrueshëm. Ajo  mbetet një figurë themelore e iluminizmit kombëtar dhe e luftës për emancipimin e grave.

E lindur më 2 qershor 1880 në Manastir, Parashqevi Qiriazi  i dedikoi jetën  gjuhës shqipe, arsimit dhe lirisë kulturore të popullit shqiptar. Në një kohë kur mësimi në gjuhën shqipe përballej me pengesa të mëdha dhe gratë ishin pothuajse të përjashtuara nga jeta publike, ajo dhe motra e saj, Sevasti Qiriazi, ngritën themelet e arsimimit për vajzat shqiptare.

Pas ndjekjes së studimeve në degën e letërsisë në “Robert College” të Stambollit një ndër institucionet më prestigjioze të kohës Parashqevia u kthye në atdhe për të dhënë mësim në Shkollën Shqipe të Vashave në Korçë, ku do të bëhej shumë shpejt drejtuese. Ajo besonte thellësisht në misionin që arsimi ishte çelësi i çlirimit shpirtëror të një populli dhe se pa nëna të arsimuara, nuk mund të ndërtohej një komb i qytetëruar.

Ajo kishte përqafuar pikëpamjen e Gjerasim Qiriazit që vetëm përmes arsimit mund të ndriçohej shpirti i një kombi në errësirë. Veçanërisht nëse arsimoheshin gratë, bërthama e familjes.

Në vitin 1908, Parashqevia mori pjesë si përfaqësuese e Shkollës së Vajzave në Kongresin e Manastirit, një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kulturore. Ajo ishte gruaja e vetme mes delegatëve dhe u caktua si sekretare e Kongresit, duke dhënë ndihmesë kyçe në unifikimin e alfabetit shqip. Një vit më vonë, ajo botoi një abetare të re sipas alfabetit të miratuar dhe shkroi gjithashtu himnin e alfabetit shqip.

Parashqevi Qiriazi me të motren, Sevastinë dhe vëllain Gjerasim Qiriazin

Krahas veprimtarisë arsimore, ajo ishte ndër themelueset e shoqërisë së parë të grave shqiptare, “Yll i Mëngjesit”, në Korçë më 1912. Shoqata promovonte arsimimin, emancipimin dhe pjesëmarrjen e grave në jetën kulturore. Revista me të njëjtin emër, që ajo e drejtoi, u kthye në një tribunë për idetë përparimtare dhe sfidonte mendësinë konservatore që përjashtonte gratë nga jeta publike.

Në vitin 1913, Parashqevia përfundoi studimet pasuniversitare në Kolegjin Oberlin në Ohio, SHBA, ku përgatiti një projekt për sistemin arsimor të Shqipërisë e cila sapo kishte shpallur Pavawsinë. Në vitin 1919, ajo ishte ndër pjesëmarrëset shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, një dëshmi e përmasave ndërkombëtare që kishte marrë tashmë figura e saj.

UNESCO, në 50-vjetorin e vdekjes së saj, e vlerësoi Qiriazin si një nga figurat më përparimtare të kohës, duke e krahasuar me Marianne Hainisch në Austri, Annestine Beyer në Danimarkë dhe Maria Montessori në Itali.

“Ajo ishte gruaja e parë që shkroi një libër shkollor në gjuhën shqipe dhe e vetmja grua në Kongresin e Manastirit. Kontributi i saj në emancipimin e popullit shqiptar ishte i paçmuar,” shkruhet në faqen zyrtare të UNESCO-s.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, ajo u detyrua të largohej nga Shqipëria drejt Rumanisë dhe më pas në SHBA, ku vijoi të ishte një zë i fuqishëm i çështjes shqiptare. U kthye në Shqipëri më 1921, për të vazhduar punën e saj me të njëjtin përkushtim.

Përkundër përkushtimit të saj të palëkundur ndaj kombit dhe arsimit, ajo dhe motra e saj nuk i shpëtuan përndjekjeve politike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për shkak të qëndrimeve antifashiste, u arrestuan dhe internuan nga forcat pro-naziste në kampin Anhalteleger Dedinje në Beograd. Pasi mbijetoi luftën, një tjetër valë persekutimi i goditi gjatë regjimit komunist për shkak të lidhjeve familjare me Kristo Dakon, një figurë e lidhur me monarkinë.

Por pavarësisht fatit të mëvonshëm, trashëgimia e Parashqevi Qiriazit mbetet ndër më të ndriturat në historinë e gruas shqiptare. Ajo u bë dritë në një kohë errësire dhe ndihmoi në lindjen e një shoqërie më të hapur, më të arsimuar, më të barabartë.

Parashqevi Qiriazi vdiq me 17 Dhjetor 1970.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë