Ekonomi

Parashikimi pesimist për Shqipërinë – Sa do të na kushtojë plakja e popullsisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria po përballet me sfida të thella demografike që mund të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë e vendit. Plakja e popullsisë, emigracioni i lartë dhe lindjet e pakëta po krijojnë një “kosto demografike” që rrezikon të ngadalësojë ritmet e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në raportin e fundit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) përllogarit se rënia e popullsisë po i kushton Shqipërisë rreth 0.28 pikë përqindje të PBB-së në vit. Parashikimet tregojnë se deri në vitin 2100, kjo kosto mund të rritet në 0.53 pikë përqindje në vit.

Madje, në një skenar akoma më pesimist, ku Shqipëria rezulton si ekonomia më e ndikuar nga plakja dhe emigracioni, rritja ekonomike mund të ngadalësohet me 1.25 pikë përqindje në vit. Ky parashikim e vendos vendin në krye të ekonomive të BERZH për ndikimin negativ të zhvillimeve demografike.

Por efektet nuk përfshijnë vetëm humbjen e rritjes së PBB-së. BERZH thekson se plakja dhe zvogëlimi i popullsisë në moshë pune mund të sjellin pasoja më të gjera ekonomike: një kërkesë agregate më e dobët mund të krijojë presion deflacioni, ndërkohë që mungesa e fuqisë punëtore mund të shtyjë pagat dhe çmimet lart.

Banka Europiane thekson gjithashtu se lindjet e reja mund të jenë pjesë e zgjidhjes, por efekti i tyre është i vonshëm. Duhet të kalojnë të paktën 20 vite që fëmijët që lindin sot të arrijnë të jenë pjesë e fuqisë punëtore dhe të kontribuojnë në ekonominë e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë