Nga Gazeta ‘SI’ – Sipas projeksioneve të qeverisë për tre vitet e ardhshme, struktura e rritjes ekonomike pritet të mbështetet kryesisht te sektori i shërbimeve, me një rritje mesatare vjetore prej 5.4%.
Ky orientim konfirmon zhvendosjen graduale të ekonomisë nga ndërtimi, që parashikohet të hyjë në një fazë ngadalësimi. Pas viteve me ritme të larta rritjeje, ndërtimi parashikohet të rritet mesatarisht me 3.1% në vit. Industria pritet të shënojë një rritje më modeste, rreth 2.6% në vit, ndërsa për bujqësinë duket se shpresat janë tharë dhe parashikohet një rritje vjetore prej vetëm 0.2%, çka tregon mungesë reformash strukturore dhe produktivitet të ulët.
Për punësimin, projeksioni i qeverisë nuk është aspak optimist.
Ministria e Financave parashikon një punësim “të paktën, jo negativ”, pra një rritje e papërfillshme prej 0.2%. Këto pritje të zymta për tregun e punës lidhen kryesisht me vazhdimin e emigrimit dhe me presionet demografike, të cilat do të vazhdojnë të kufizojnë ofertën e fuqisë punëtore, argumenton MF.
Nga ana e kërkesës, qeveria parashikon një rritje mesatare vjetore të investimeve prej 4.9%, ndërsa konsumi final pritet të rritet me rreth 2.9% në vit.
Në planin e jashtëm, eksportet e mallrave dhe shërbimeve për periudhën 2027–2029 parashikohen të rriten mesatarisht me 4.6% në vit në terma realë. Ndërkohë, importet pritet të zgjerohen me një ritëm më të ulët, rreth 3% në vit.
Në tërësi, PBB-ja e Shqipërisë pritet të rritet me 4% në vitin 2026 dhe 3.9% për periudhën 2027-2029, pa asnjë progres nga vitet e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



