Nga Gazeta Si- Nga Trump, Von Der Leyen apo dhe rekordi i vitit më të nxehtë, Financial Times ka bërë disa parashikime se çfarë pritet të ndodhë në 2024 me disa nga çështjet më të folura në vitin që po lëmë pas.
A do të zgjidhet sërish president i SHBA-së Donald Trump?
Jo, por duke supozuar se do të kapërcehen pengesat e fundit ligjore të ngritura kundër garimit të Trump në Kolorado dhe Maine, fushata e tij kundër Joe Biden do të regjistrojë zgjedhjet presidenciale më të shëmtuara në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gara do të jetë shumë e ngushtë.
Trump do të dënohet penalisht në të paktën një nga katër gjyqet e tij. Ndoshta në 2 prej tyre përpara ditës së zgjedhjeve, dhe ai do t’i paraqesë ato si një simbol të persekutimit politik nga “familja kriminale Biden”. Edhe pse dukshëm më i plakur, Biden mbetet ende favorit, por kjo më shumë sepse shumica preferon më shumë të refuzojë Trumpin, sesa një mandat të dytë të Biden.
A do thyhet rekordi i vitit më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë?
Po. Viti 2023 u shoqërua me shumë rekorde të të nxehtit ekstrem, saqë është gati e sigurt se viti që vjen, do të jetë më i nxehti në 174 vitet e fundit qëkur po mbahen shënime të rregullta. Por shumë shkencëtarë presin që 2024-ta të jetë edhe më i nxehtë, sepse nxehtësia e vitit 2023 u përforcua edhe nga shfaqja e një modeli klimatik El Niño që ndodh natyrshëm. Ajo zakonisht ka efektin më të madh tek temperatura globale pasi arrin kulmin, gjë që mund të ndodhë që në janar 2024.
A do të shkaktojë një konflikt të plotë rajonal lufta Izrael-Hamas?
Jo. Lufta ka shkaktuar dhunë në mbarë rajonin, duke përfshirë atë të grupimeve militante të mbështetura nga Irani. Shqetësimi më i madh, është se përleshjet kufitare midis Hezbollahut, lëvizjes së fuqishme libaneze dhe forcave izraelite, mund të përshkallëzohen në një konflikt të plotë midis të dyve.
Qeveria e Benjamin Netanyahut, e ka bërë të qartë se nuk mund të jetojë më me luftëtarët e Hezbollahut në kufi Liban-Izrael. Gjithsesi ka shpresë që presioni diplomatik do të arrijë ta mbajë situatën nën kontroll. As Uashingtoni dhe as Teherani, nuk duan një konflikt më të gjerë rajonal, madje edhe nëse shtohen luftimet midis Hezbollahut dhe Izraelit. Megjithatë gjendja është jashtëzakonisht e paqëndrueshme.
A do të ketë një rënie të lehtë ekonomike në SHBA?
Po, dhe në një periudhë afatshkurtër. Gjatë vitit 2013, inflacioni ka rënë, në një mënyrë që e ka befasuar edhe Rezervën Federale. Ndërkohë rritja ka mbetur më e fortë nga sa prisnin shumica e ekonomistëve. Meqenëse shpenzimet konsumatore mbeten të forta, dhe rritja e pagave është e kontrolluar, një rënie e lehtë mund të vazhdojë për disa muaj.
Por mos mendoni se kjo do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2024. Do të ketë më pak mbështetje fiskale, pasi shumë fonde janë harxhuar që nga epoka e Covid-it. Normat më të larta të interesit po nxisin falimentime biznesesh, po rriten shqetësimet për borxhin, ndërsa presionet gjeopolitike po e dëmtojnë tregtinë globale. Kjo mund të rrisë inflacionin dhe të ngadalësojë rritjen ekonomike. Pra brenda një viti, kjo rënie do të bëhet ndoshta edhe më e dhimbshme.
A do të bëhet Keir Starmer kryeministër i Britanisë së Madhe?
Po, megjithëse ka të ngjarë që zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar të mos mbahen deri në janarin e vitit 2025. Konservatorët e Rishi Sunak duken të përçarë dhe të lodhur. Numri i vendeve që duhet të fitojë opozita laburiste, nënkupton se mund të kemi një qeveri të pakicës apo edhe një shumicë komode, siç e tregojnë edhe sondazhet e fundit. Megjithatë do të jetë e vështirë që kryeministri i ri të gjejë mbështetjen e mjaftueshme për të mbajtur pushtetin.
A do të bjerë më tej rritja ekonomike e Kinës?
Jo. Sigurisht, ritmi i rritjes së ekonomisë kineze është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit. Tregu i pasurive të paluajtshme, që kontribuon në thuajse 1/3 të Produktit të Brendshëm Bruto, po shpërthen dalëngadalë si një flluskë sapuni. Shumë qeveri rajonale janë mbytur në borxhe.
Konsumatori kinez është në mëdyshje. Por rritja e PBB-së në vitin 2024, do të kaloje ende nivelin 4 për qind, e ndihmuar nga një përzierje e paketave të shpëtimit, nismave stimuluese fiskale dhe formave të tjera të mbështetjes zyrtare. Përparimet në teknologji do të mbeten një pikë e forte e rritjes ekonomike .
A do të shkaktojë një sulm ushtarak nga Kina ndryshim i presidentit në Tajvan?
Jo. Shumë njerëz brenda dhe jashtë Tajvanit shqetësohen më tepër për luftën që mund të sjellin stërvitjet gjithnjë e më të shumta ushtarake të Kinës në rajon. Pretendenti kryesor në zgjedhjet presidenciale të janarit, Lai Ching-te i Partisë Progresiste Demokratike, ka një qasje shumë të ndryshme nga presidenti aktual Tsai Ing-Uen.
Por Lai e ka bërë të qartë se do të ndjekë të njëjtën qasje të kujdesshme të Tsai në raport me Kinën, duke mos i dhënë Pekinit ndonjë pretekst të fortë për të sulmuar. Nën presidentin Xi Jinping, udhëheqja kineze beson se ka ende një shans për ta detyruar Tajvanin të bashkohet me të pa luftuar. Ajo e bën këtë duke e shtuar presionin ushtarak, infiltrimin politik, joshjet ekonomike dhe izolimin ndërkombëtar.
A do të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën SHBA dhe BE-ja?
Po. Ndërsa kundërofensiva e Ukrainës kundër pushtimit rus, ngeci në fund të këtij viti, mbështetja ushtarake dhe financiare për Kievin u bë një çështje e diskutueshme në të dyja anët e Atlantikut. Administrata Biden, është e vendosur ta vazhdojë ndihmën: një marrëveshje e re me republikanët në Kongres, mund të përfshijë lëshime për sigurinë kufitare të SHBA-së, në këmbim të ndihmës së zgjatur për Ukrainën.
Një sfidë më e madhe do të lindë nëse në Shtëpinë e Bardhë rikthehet Donald Trump. Ndërkohë udhëheqësit e BE-së, duhet të gjejnë mënyrat për të anashkaluar veton e Hungarisë kundër një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh. Por Ukraina ka të ngjarë ta ketë sërish të vështirë të arrijë një përparim ushtarak në terren, ndaj do të jetë nën një presion në rritje për të negociuar me Moskën për një marrëveshje për paqe.
A do të sigurojë Ursula Von Der Leyen një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian?
Po, edhe pse me disa përpjekje. Ursula Von Der Leyen e ka justifikuar mirë punën e saj në një mandat të karakterizuar nga krizat, duke dëshmuar vlerën që ka veprimi i përbashkët të BE-së në huamarrje, shëndetësi, shpenzimet për mbrojtjen dhe politikën energjitike. Marrëveshja e saj kryesore, mbi kalimin tek ekonomitë më pak ndotëse, ka ecur kryesisht në rrugën e duhur. Por zakoni i saj për të hartuar politika mbi ato kombëtare, dhe afrimi i madh me Uashingtonin kanë mërzitur disa udhëheqës.
Koalicioni i saj i vitit 2019, është në rrezik nga sukseset e të djathtës populiste në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Gjithsesi partia e saj e qendrës së djathtë, EPP, do të jetë në gjendje ta mbajë presidencën, edhe nëse kjo do të nënkuptonte një bashkëpunim më të ngushtë me partitë euro-skeptike.
Burimi: Financial Times. Përshtati: Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.