Shendet

Paralajmërimi i ISHP: Kujdes nga gripi! Viroza rikthehet çdo mars

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik për tre vitet e fundit 2016, 2017 dhe 2018, duket se në periudhën e marsit është koha kur duhet të kemi kujdes të shtuar ndaj gripit, pasi virozat rikthehen.
Në vitin 2016, fundi i dhjetorit ishte koha kur u shënua edhe numri më të lartë i njerëzve të prekur nga gripi. Në vitin 2017, periudha e janarit ka shënuar numrin më të lartë të personave të prekur nga gripi në vendin tonë. Ndërsa viti 2018, gripi ka pasur rritje drastike në muajin janar dhe shkurt.

Por në të tre këto vite, ashtu siç edhe tregojnë grafikët, kurba e virozave ka një ringritje gjatë marsit. Pikërisht për këtë arsye Instituti i Shëndetit Publik, në njoftimet e fundit publike, ka bërë thirrje që personat me rrezik të shtuar dhe ata me sëmundje kronike, duhet të tregojnë më shumë kujdes.

Gripi në rënie, por i rrezikshëm
Mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë shprehen se megjithëse kurba e pacientëve me grip është në rënie, viroza përsëri mbetet e rrezikshme. Sipas tyre, në spitalin infektiv pranë kësaj qendre paraqiten 30 deri në 40 raste në ditë. Mjekët shprehen se gjatë virozës së gripit të këtij vitit, kanë hasur problematikë të shtuar sidomos te të sëmurët kronikë, ku komplikacionet kanë qenë edhe më të shpeshta. Vetëm para pak ditësh, një 36-vjeçare e prekur nga virusi i gripit AH1N1, u nda nga jeta, pasi solli në jetë dy fëmijë binjakë, një prej të cilëve nuk mundi të mbijetonte për shkak të lindjes së parakohshme.

Gripi, një sëmundje serioze
Gripi mund të jetë një sëmundje serioze që mund të çojë në gjendje të rëndë shëndetësore, me shtrime në spital dhe ndonjëherë deri në vdekje. Për shumicën e njerëzve gripi është një sëmundje kalimtare, por në disa raste, shkakton ndërlikime të rënda dhe vdekje. Një individ i infektuar mund të infektojë të tjerët, 1 ditë përpara se simptomat të shfaqen. Ai vazhdon të jetë infektues për 5-7 ditë pasi është sëmurur. Simptomat shfaqen 1-4 ditë, pasi virusi është futur në organizëm.
Kjo do të thotë që mund t’a transmetoni virusin dikujt tjetër, përpara se ta kuptoni që jeni sëmurë, si dhe e transmetoni atë edhe kur jeni të sëmurë.

Shkencëtarët zbulojnë pilulën që mposht gripin
Këtë fundjavë, lajmi se firma farmaceutike holandeze Janssen po analizon një pilulë që mund të luftojë gripin, po bën xhiron e botës. Deri tani shkenca ka dështuar të gjejë një kurë përfundimtare, ose një ilaç të përhershëm, kundër kësaj viroze, e cila ndër vite ka shënuar epidemi, madje edhe pandemi globale me qindra mijëra viktima. Për vetë natyrën e virusit të gripit, ai ndryshon çdo vit, për shkak të mutacioneve që ndodhin brenda virusit. Pikërisht për këtë arsye edhe vaksina anti-grip prodhohet çdo vit e re, si përgjigje ndaj ndryshimeve që pëson virusi.

Nuk është e mundur të parashikohet me siguri se cili nga viruset e gripit do të qarkullojë gjatë një sezoni. Viruset e gripit janë vazhdimisht në ndryshim – ato mund të ndryshojnë nga një sezon tek tjetri, ose ato madje mund të ndryshojnë edhe gjatë një sezoni gripi. Ekspertët përcaktojnë muaj më parë dhe zgjedhin se cilët virus të gripit do përfshihen në përbërjen e vaksinës, në mënyrë që vaksina të prodhohet dhe shpërndahet në kohë. Për shkak të këtyre faktorëve ekziston gjithmonë mundësia për një përputhje më pak se optimalja midis viruseve të gripit që janë në qarkullim dhe atyre në vaksinë.
Medikamenti që shkencëtarët holandezë thonë se kanë prodhuar, ka të bëjë pikërisht me kundërveprimin që ka ndaj pjesëve të virusit që nuk ndryshojnë aq shpesh. Pilula mund të jetë më e lirë dhe më e lehtë për t'u përdorur sesa ilaçet e tjera. Kjo pilulë për të luftuar gripin mund të jetë më afër asaj që pritej, pasi shkencëtarët thanë se zhvillojnë një ilaç që imiton sistemin imunitar. Ekspertët thanë se mjekimi i gripit mund të jetë më i lehtë dhe premtues pas kësaj pilule, e cila luftën e saj e bën duke forcuar qelizat e trupit. Ekspertët që po punojnë në këtë fushë thonë se kjo pilulë ka treguar sukses në 'neutralizimin' e gripit në testet laboratorike dhe madje edhe tek minjtë.

Kur shkencëtarët e kompanisë farmaceutike Janssen testuan te minjtë medikamentin e njohur si JNJ4796 dhe u dhanë kafshëve një dozë viroze gripi 25 herë më të lartë se zakonisht, minjtë mbijetuan. Ilaç imiton antitrupat dhe proteinat në gjak që i bashkëngjiten viruseve invaduese duke i shkatërruar ato. Mjekët thonë se kjo pilulë mund të ketë efekt kur dikush është me grip, jo vetëm duke mbajtur sëmundjen nën kontroll, por edhe duke shkurtuar periudhën e gjatë të cilës jemi të sëmurë.
“Ky është një opsion i shpejtë terapeutik dhe ofron trajtim plotësues për barnat antivirale ekzistuese”, shkroi revista “Neë Science”. Sipas saj, tani është e mundur gjithashtu që të luftohen infeksionet virale duke injektuar antitrupa, të cilat mund të jenë ende të kushtueshme dhe ende të paefektshme ndaj më shumë se një infeksioni. Por, përkundër kësaj, krijuesit e ilaçit JNJ thonë se pilula synon të jetë një medikament i kompletuar për të luftuar lloje të ndryshme të virozës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë