Nga Gazeta ‘Si’- Opozita ka ngritur në Kuvend shqetësimin pas deklaratës së ambasadës amerikane për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin.
Deputeti Tritan Shehu kërkoi në nisje të seancës që të diskutohet sa më shpejt për njoftimin e djeshëm të Ambasadës amerikane në Tiranë e cila deklaroi se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.
“Kryeministri duhet të referojë, duhet të dëgjojë pyetjet e deputetëve shqiptarë, për të sqaruar se çfarë po ndodh, çfarë masash janë marrë. Nuk mund ta kalojë qeveria kështu”, u shpreh ai.
“Njoftime të tilla (si i ambasadës) duhet të vinin nga institucionet tona. Çështja duhet marrë me seriozitet”, përfundoi ai.
Ndërsa deputeti Fatmir Mediu i kërkoi kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi që t’i bëjë kërkesë Presidentit të Republikës për të thirrur urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Lidhur me këtë, iu përgjigj Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha. Ai deklaroi se situata në Shqipëri është e sigurt dhe nuk ka vend për panik.
“Ne i ndjekim me shumë vëmendje si deklaratat e partnerëve tanë këtu, jemi në kontakt me ta në Washington, në NATO, vlerësimi që kemi sot është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar.
Për çdo gjë të re, Ministria e Jashtme apo ministritë e tjera, do t’ju informojnë”, tha ai.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari tha se nuk ka asnjë rrezik për sulme dhe asnjë informacion për rrezik të deritanishëm. Ai shpjegoi se ka udhëzuar Antiterrorin dhe strukturat në varësi që të jenë në kontakt me SHBA-të në vijim.
“Jo më larg se dje i kërkova strukturave të sigurisë publike dhe Antiterrorit të jenë në komunikim me Ambasadën dhe është konfirmuar se nuk ka asnjë informacion qoftë edhe inteligjencë në lidhje me një sulm të mundshëm”, tha Lamallari.
Ministri shpjegoi se postimet e ambasadës janë në vijim të njoftimeve që selitë diplomatike amerikane dhe të tjera bëjnë në vende të ndryshme.
Lamallari ironizoi edhe opozitën, duke vënë në dukje se “lexon njoftimet për Iranin, por jo për protestat me molotovë”.
“Postimi ka qenë në vazhdën e postimeve në të gjithë botën. Policia prej disa kohësh ka marrë masa shtesë. Shqipëria mbetet vend i sigurt përtej postimeve që për fat të keq ju i lexoni vetëm kur janë për Iranin jo kur janë për protesta me molotovë”, përfundoi Ministri i Brendshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje