Nga Gazeta 'SI' - Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka arritur në një rekord të ri.
Banka e Shqipërisë raporton se gjatë muajit gusht ky tregues ishte 403.8 mld lekë, me një rritje 1.2 mld lekë nga korriku, ose me 0.3%.
Matur me gushtin 2023, rritja është edhe më e fortë, 2.3%, që përkthehet në 9.4 mld lekë më shumë.
Dukurinë e sasisë së madhe të parasë jashtë bankave e pranoi edhe Guvernatori Gent Sejko përballë deputetëve të Kuvendit. Ai tha se flukset e mëdha të cash-it janë të papërballueshme nga Banka e Shqipërisë, edhe nëse ndërhyn në treg, pasi janë miliarda lekë, efekti i të cilave nuk mund të amortizohet dot.
Por sipas planit të qeverisë, shqetësimit të përdorimit masiv të parasë së thatë, do t'i vijë fundi në 2025-n.
Në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë parashikojnë vendosjen e një kufiri të parave cash midis individëve, por edhe midis individëve dhe biznesit. Në kuadër të kësaj mase, qeveria dhe BSH do të ulin tarifat e përdorimit të kartave, për të inkurajuar kështu pagesat në terminalet POS dhe ato online.
Me rritje raportohen dhe treguesit e tjerë të agregatëve monetarë.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në gusht 2024, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 8 mld lekë nga korriku dhe raportohet 794 mld lekë.
Agregati M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) është rritur me rreth 3 mld lekë nga korriku duke shkuar në 978 mld lekë.
Agregati M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) ka pësuar një rritje me rreth 20 mld lekë nga korriku. Në gusht 2024 raportohet 1.736 mld lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.