Treg

Paradoksi i ndërtimeve ka shtyrë strehimin drejt krizës

Nga Gisela Troplini - “Të gjesh apartament në Tiranë është paradoks. Secili është i paqartë mbi zhvillimin e një tregu me të ardhme po aq të paqartë.”

Kjo është analogjia që përdor arkitekti Saimir Kristo, pedagog pranë Universitetit “BARLETI” për të përshkruar tregun e pasurive të patundshme në Shqipëri.

Në një komunikim me Gazetasi.al, Kristo shpjegoi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij tregu, bashkë me problemet dhe zgjidhjet.

LEXO EDHE:
- A jemi afër zhvlerësimit të tregut të banesave në Shqipëri?
- Shtëpitë - Ndërtimi në Shqipëri po varfëron më të varfrit
- Strehimi në banesat e reja ka rënë ‘në kurth’

Kriza imobiliare

Arkitekti e përshkruan si krizë sociale situatën që ka ndodhur në tregun imobiliar vendas. Për të, ky treg ka devijuar edhe logjikën ekonomike.

“Problemi i kësaj krize imobiliare është se një numër i lartë ndërtimesh, që në fakt duhet të normalizonte vlerën e pronës sepse kur ka shumë ofertë në treg ulet vlera respektivisht, nuk e ka ulur. Tregu po ecën me një përceptim që ku  ‘çdo kryeqytet në botë ka një kosto të caktuar. Në raport me Europën apo Ballkanin, Tirana prezanton të ndërmjetme. Por në raport me të ardhurat mesatare apo edhe më të ulëta, ka një disbalancë”, -shpjegon ai duke shtuar se tashmë disbalanca ka kaluar edhe kufijtë e Unazës së Vogël dhe po i afron unifikimit ne vlera më të gjithë kryeqytetin.

Profesori rikujton për Gazetasi.al periudhën post-tërmet në Shqipëri, si një faktor progresiv për rritjen e çmimit të apartamenteve dhe cilësisë së tyre. “Por gjithsesi kjo cilësi nuk prezanton nje risi për të justifikuar këto rritje çmimesh.”

"E drejta për strehim është e drejtë bazë njerëzore, duhet kjo e drejtë të respektohet
në mënyrë që të konsiderohemi si një komunitet social dhe human!”
Saimir Kristo, arkitekt, pedagog pranë Universitetit “BARLETI”

Mungesa e statistikave të sakta të kërkesës për banesa dhe njerëzve që lëvizin është një nga ngërçet kryesore për profesor Kristo.

“Ne nuk e dimë cila është kërkesa, sa është kërkesa. Dimë vetëm sa leje jepen, por nuk dimë sa plotësohet oferta. Ne nuk dimë as lëvizjen demografike. Dimë që një x numër njerëzish ikin nga Shqipëria dhe një x numër njerëzish vijnë në Tiranë. Këtu duhet parë me kujdes nëse përfshihet edhe numri i studentëve që vjen nga rrethet. Nëse do të jenë tek grupi i atyre që qëndrojnë apo ikin nga Shqipëria.”

Sipas publikimeve nga INSTAT, për vitin 2022, në Shqipëri u dhanë mbi 1.400 leje ndërtimi, për një sipërfaqe rreth 2.7 mln metër2. Nga këto, 382 leje i përkasin kryeqytetit me 1.8 mln m2 sipërfaqe.

Por edhe pa shifra të plota, ata që rëndohen janë të njëjtët; shtresa e mesme dhe e ulët.

“Nëse kemi shifra, ne mund të kuptojmë se ka shumë apartamente të ofruara në vlera të larta dhe shumë pak me një vlerë për shtresën e mesme dhe të ulët, ato që blejnë më çmime më të ulëta. Për këtë grup kërkesa është e madhe dhe oferta e vogël. Ata detyrohen të blejnë apartamente më të vjetra dhe më pak cilësore. Ata që kanë mundësi të blejë mbi 3mijë euro/m2 nuk kërkojnë, thjesht e pëlqejnë dhe e marrin. Por konkurrencën në tregun imobiliar e bën kërkimi, ky grup nuk kërkon. Janë një grup që ndoshta janë pjesë e spekulimit, por jo e krizës”, - shpjegon Kristo.

“Një tjetër problem është se një apartament i para viteve 2000-90' vlerësohet me çmim referencë, por ai është e amortizuar dhe amortizimi nuk llogaritet. Ka shumë balanca për t’u vendosur dhe nuk i bën vetëm tregu i lirë, ai shkon ku ka interesin ekonomik.  Nëse nuk rritet mirëqenia në tërësi do të jetë shumë e vështirë. Duhet të krijohen modele që bazohen në statistika në të dhëna e parashikojnë krizat. Ne nuk i kemi. “

Grafik nga Indeksi Fischer ku vërehet rritje e fortë e çmimeve të banesave dhe rënia e cilësisë së kredisë, në një efekt shkak-pasojë. Banka e Shqipërisë, 2022

Zgjidhja/zgjedhja

Arkitekti Kristo mbështet idenë e ndërhyrjes së autoriteteve në këtë treg, si e vetmja mënyrë për ta stabilizuar dhe rregulluar atë.

“Ka një problem në menaxhimin e tregut. Në rregull mund të thotë dikush është prona dhe unë zgjedh vlerën e saj, por duhet veprimi i enteve rregullues.”- shprehet prof. Kristo.

Ai shton se një bashkëpunim shtet-privat do të rrisë dhe cilësinë e këtyre apartamenteve, vlera e tyre do të normohet sipas zonave dhe infrastruktura përreth do të jetë lehtësuese.

“Blerja e një prone bëhet e vështirë. Nëse ti zgjohesh, nuk ke diell, nuk ke ventilim natyror, nuk ke pamje të hapur, pse do të kesh dëshirë të jetosh aty edhe nëse apartamenti është shumë i mirë. Lidhet me mënyrën si ne jetojmë, si ndihemi, si zgjohemi në mëngjes.”

Lëvizja më e logjikshme momentalisht, sipas prof. Kristo, do të ishte banesa me qira deri sa tregu të rregullohet se sa të paguajnë kredinë më kamata ekstra në një treg që është i turbullt dhe nuk dihet se çfarë do të ndodhë për disa vite.

Arkitekti propozon një shpërndarje të ekonomisë dhe zhvillimit dhe në qytetet e tjera, në mënyrë për të ofruar incentiva shtesë që njerëzit të qëndrojnë. Ai thotë se duhen më shumë investime si kredi të buta, strehim social, lehtësimet për familjet e reja.

 “Ti në zona periferike të Tiranës që po zhvillohen mund të investosh, por a është nevoja që një qytet të shtrihet aq shumë? Po qytetet e tjera? Pse nuk po krijojmë pole të tjera të zhvillimit dhe të shpërndajmë ekonominë? Ne nuk jetojmë dot në qytete të tjera sepse unë nuk ka facilitete të mjaftueshme dhe si rrjedhoje njerezit largohen. Ti nuk ndihesh sikur je në qytet. Kryeqyteti ofron shkëmbim kulture, socializimi etj., elementë të nevojshëm, por kërkohet akoma më shumë për të krijuar qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale. Duhet punojmë të mbajmë njerëzit, dhe mos të largohen. Kthimi mbrapa është i vështirë.  Gjërat mund të ndodhin edhe më mirë në Shqipëri. Duhet të jemi pjesë edhe të procesit të llogari-dhënies dhe të llogari-marrjes”.

Në një tjetër rikthim në kohë, profesori rikujton rënien e çmimeve të tregut imobiliar pas krizës së 2008-s. “Kriza mund të ndodhë, si në 2008-13, patëm një zhvlerësim të pronës. Pati rënie edhe në zonën e qendrës së qytetit, dhe në Tiranë më tërësi, si rrjedhojë e impaktit të krizës globale.”

Arkitekti Kristo pohon për Gazetasi.al se diferencimi i çmimeve nga zona në zonë ka diferencuar edhe shtresat sociale tashmë duke vënë në lojë edhe të drejtën e strehimit për qytetarët shqiptarë.

“Ka zona në periferi që janë kthyer në fjetore, por janë për njerëzit me të ardhura të larta, më elitare, ndërsa disa të tjera sepse janë më të lira. Momentalisht tregu është një paradoks. Ti nuk e di se çfarë do të zhvillohet aty për vitet e ardhshme. Prezantohet nje risk i lartë për të kuptuar vleren e investimit dhe kthimin mbrapa te tij. E drejta për strehim është e drejtë bazë njerëzore, duhet kjo e drejtë të respektohet në mënyrë që të konsiderohemi si një komunitet social dhe human!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë