Ne rrjet

Paradokset e gazit lotsjellës – Kur, si dhe sa duhet përdorur!

Përdorimi i gazit lotsjellës nga ana e Gardës së Republikës në dy protestat e opozitës, atë të 16 shkurtit para Kryeministrisë dhe atë të dhjetë ditëve më vonë para Parlamentit, ka ndezur një debat të gjerë në media dhe rrjetet sociale mbi ligjshmërinë e këtij akti dhe a përdoret apo jo ky gaz lotsjellës në vendet e tjera.

Përdorimi i gazit lotsjellës nga ana e Gardës së Republikës në dy protestat e opozitës, atë të 16 shkurtit para Kryeministrisë dhe atë të dhjetë ditëve më vonë para Parlamentit, ka ndezur një debat të gjerë në media dhe rrjetet sociale mbi ligjshmërinë e këtij akti dhe a përdoret apo jo ky gaz lotsjellës në vendet e tjera.

Tre janë llojet e gazrave lotsjellës, që përdoren më së shumti nga policitë në mbarë botën për shpërndarjen e protesta, CS, CR dhe CN, që të tre pjesë e atyre që njihen si “Agjentë të Kontrollit të Protestave”. Efektet e tyre janë të ngjashme, duke shkaktuar irritim dhe skuqje të syve, të lëkurës, gypit të frymëmarrjes, mushkërive dhe lëkurës.

Mjeku Tritan Kalo shpjegon më me detaje pasojat dhe metodat më të mira të minimizimit të këtyre pasojave në rast të rënies në kontakt me një agjent të tillë.

https://www.facebook.com/tritan.kalo/posts/2395667893791296

Në dy protestat e opozitës shqiptare, Garda e Republikës ka përdorur kryesisht gazin CS MN-01 me kanistër 38 mm dhe prodhim serb.

“Mn-01 është një agjent kimik i ndërtuar për të paralizuar përkohësisht persona të pambrojtur në një ambient të hapur apo të mbyllur. Ai kontaminon atmosferën dhe shkakton përkohësisht irritim të forta, të vjella, lotsjellje të fortë, paaftësi për të parë, vështirësi në frymëmarrje, tharje të fytit dhe kollitje”, thotë në përshkrimin që i bën produktit të saj kompania serbe që e prodhon.

Burime nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë për Gazetën “Si” se të gjithë agjentët e kontrollit janë të ndaluar për përdorim nga ana e ushtrisë.

“Ato mund t’i përdorim vetëm në raste stërvitjesh dhe me maska kundërgaz. Në raste luftimesh, a beteje ndaj një vendi tjetër janë rreptësisht të ndaluara nga Konventa e Gjenevës për armët kimike, që ne e kemi firmosur në janar të 1993 dhe jemi anëtarësuar në prill të 1997. CS MN-01 është prodhim serb dhe përdoret edhe nga vetë policia serbe për shpërndarjen e protestave, sicc ishin protestat e para disa viteve kundër paradës së komunitetit LGBT”, thotë burimi.

Mosnjohja e Konventës së Gjenevës, vendi i prodhimit dhe efektet që pati tek protestuesit, shkaktuan debat. Ai që e ndezi këtë diskutim ishte ish-Kryeministri Sali Berisha përmes postimeve në rrjetet sociale. Mes postimeve të shumta për këtë temë, ai sjell edhe mesazhin e një qytetari digjital me shënimin e vet: “Beogradi furnizon me helme kimike Zografin Bis! Gazi helmues që u përdor në Tiranë, është përdorur vetëm kundër shqiptarëve në Kosovë dhe Preshevë”.

“Përshëndetje Dr! Jam oficer i Ushtrisë së Kosovës. Jam skandalizuar nga ajo që ndodhi dje në Tiranë. Gazi helmues që u përdor dje në Tiranë është i kohës së Millosheviçit dhe është në përdorim si helm kimik luftarak vetëm nga ushtria dhe jo nga policia serbe dhe është gaz kategorikisht i ndaluar me konventa ndërkombëtare që të përdoret kundër civilëve. Ai përdoret kundër armikut në fushë-betejë, apo vendodhjes së grupeve terroriste”, citon Berisha qytetarin digjital nga Kosova.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/1221538461340392

Por sa të vërteta janë këto pohime të “ushtarakut digjital” nga Kosova përcjellë përmes profilit të Sali Berishës? Është e vërtetë që gazi lotsjellës është përfshirë në listën e armëve kimike të ndaluara nga Konventa e Gjenevës për përdorim luftarak, megjithëse ai nuk konsiderohet vdekjeprurës.

“Shtetet ndalohen që të përdorin agjentët e kontrollit si armë në luftë”, thotë Artikulli I(5) i Konventës për Armët Kimike, i nënshkruar më 1993 edhe nga Shqipëria.

Paradoksi qëndron në faktin se Konventa që e ndalon gazin lotsjellës për t’u përdorur kundër armikut në luftë, e lejon përdorimin e tij nga policitë për shpërndarjen e protestave dhe tubimeve të dhunshme (link). Artikulli II (9)(d) i konventës përshkruan se çfarë nënkupton me “Agjentë të Kontrollit të Protestave”.

“Çdo përbërës kimik, ekspozimi ndaj të cilit shkakton thuajse menjëherë paaftësi fizike dhe irritim, por që këto simptoma zhduken brenda një kohe të shkurtër nga dalja jashtë këtij ekspozimi”, thuhet aty.

Protestues greke me maska antigaz gjate nje tubimi te dhunshem ne Selanik

Gazrat lotsjellës CS, CN dhe CR bëjnë pjesë tek armët kimike të ndaluara në luftë, por të përfshira në listën e “Agjentëve për Kontrollin e Protestave”, përdorimin e të cilëve Konventa e lejon për policitë dhe strukturat e tjera ligjzbatuese të një vendi për të shpërndarë tubimet.

Rrënjët e këtij paradoksi datojnë shumë vite më parë. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, struktura ndërkombëtare ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe rojtare e zbatimit të Konventës thotë se agjentët e kontrollit, pra edhe gazrat lotsjellës ndezën një debat të gjatë dhe pasionant gjatë negociatave për hartimin e Konventës. Në fund u arrit një kompromis, thotë Organizata, që lejonte përdorimin e gazit lotsjellës kundër protestave dhe tubimeve të dhunshme dhe ndalimit të tij në beteja luftarake.

David P. Fidler, profesor në Universitetin e Indianës në Shtetet e Bashkuara dhe njohës i mirë i Konventës që ndalon përdorimin e armëve kimike, thotë se përdorimi i gazit lotsjellës nga ana e forcave të rendit ka qenë e vetmja pikë që nuk u kontestua nga asnjë shtet gjatë negociatave.

Policia franceze duke perdorur gazin lotsjelles ne nje tubim te 2007

Si mund të shpjegohet ky paradoks? “Mund të mendohet se ushtarët në betejë nuk mund të dallojnë se çfarë lloj gazi po përdoret kundër tyre në betejë, a është gaz lotsjellës apo vdekjeprurës dhe si kundërpërgjigje të sulmojnë me një gaz vdekjeprurës. Si zgjidhje praktike u gjet ndalimi i të gjithë agjentëve të kontrollit”, shpjegon Richard Price, profesor në Universitetin e British Colombia.

Fidler dhe Price dhanë këto komente për mediat amerikane pas përplasjeve të dhunshme të 2014 në Ferguson, ku policia përdori në sasi të konsiderueshme gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm që u tubuan pas vrasjes së një të riu afro-amerikan nga një oficer policie.

Pavarësisht kësaj, debati a ishte i ligjshëm apo i jashtëligjshëm përdorimi i gazit lotsjellës CS MN-01 në këto dy protesta, nuk shuhet. Së pari, në të gjithë praktikat ndërkombëtare ndalohet hedhja e tij në drejtim të protestuesve kur mes tyre ka fëmijë, të moshuar, apo gra shtatzëna. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar thotë se ekspozimi i të miturve ndaj këtyre agjentëve kimikë ka rrisqe të larta pasojash fizike të përhershme, deri në humbje shikimi.

Po ashtu, kjo organizatë thotë se gazit lotsjellës duhet t’i shmangen edhe personat që vuajnë nga sëmundje në mushkëri dhe ata me probleme kardiake. Rreziku për fatalitet tek këta persona rritet deri në 10-fish, thuhet në një raport të publikuar në vitin 2016. Por, përdorimi i tepërt i këtij agjenti mund të shkaktojë vdekjen edhe të personave të shëndetshëm pa problemet e mësipërme.

“Vlerësohet se doza e duhur për të arritur qëllimin e shpërndarjes së protestuesve është nga 0.1 deri në 10 mg-min/m3, në varësi sesi përhapet gazi. Nëse kjo dozë tejkalon 25,000 mg-min/m3, ajo është vdekjeprurëse”, thotë raporti.

Kryqi i Kuq thekson se këto shifra sugjerojnë se rreziku që një person të gjejë vdekjen nga gazi CS është u ulët, por ai sërish ekziston. “Kjo tregon se këta agjentë nuk janë apriori jovdekjeprurës. Ata janë të padëmshëm vetëm nëse përdoren në doza të duhura”, citohet raporti.

Fatmirësisht, nga përdorimi i gazit lotsjellës në Shqipëri, në të dyja rastet, nuk u raportuan fatalitete, por dilemat mbeten. Sidomos në rastin e protestës së 26 shkurtit. Sa u zbatua parimi i proporcionalitetit në këtë protestë?

Nga një analizë e thjeshtë e pamjeve në terren vërehet lehtësisht se Garda e Republikës hedh gaz lotsjellës edhe në momentin që protestuesit kanë qenë të shpërndarë. Ky veprim u përsërit disa herë, aq sa aroma e gazit ndjehej në një perimetër të zgjeruar, që nga 9-katëshet e deri tek Liceu “Jordan Misja” në Rrugën e Elbasanit.

Në të gjithë këtë hapësirë nuk ishin vetëm protestues, por edhe kalimtarë e banorë të tjerë që vuajtën pasojat e një veprimi në dukje jo fort të menduar mirë nga ana e Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë