Sot në Korçë u kujtua 108-vjetori i Shpalljes së Krahinës Autonome të Korçës. Kryebashkiaku Sotiraq Filo ndau në rrjetet sociale pamje nga parada me veshje tradicionale nga gjithë rajoni i Korçës. Parada u zhvillua sot, në bulevardin kryesor të qytetit.
Shpallja e autonomisë u arrit me mbështetjen e ushtrisë franceze. Themistokli Gërmenji ishte prefekt i Republikës Autonome të Korçës, për të cilin DPA disponon dhe foton duke ngritur flamurin, dhe pranë tij koloneli Henry Descoin.
Administrimi i Qarkut të Korçës do t’i besohej një këshilli prej 14 anëtarësh, në një bërazpeshë mes anëtarëve të krishterë dhe atyre myslimanë. Këshilli ngarkohej me studimin e të gjitha masave që duheshin marrë me mirëadministrimin e qarkut dhe me kontrollin e funksionimit të shërbimeve publike. Sipas Protokollit të 10 dhjetorit 1916, qyteti i Korçës ishte një krahinë “autonome” e administruar nga shqiptarët nën mbrojtjen e autoriteteve franceze.
Por më 16 shkurt 1918, Korça u mor në administrimin e drejtpërdrejtë të komandës franceze.
Pushkatimi i Themistokli Gërmenjit më 7 nëntor 1917, dobësoi ndjeshëm lëvizjen kombëtare shqiptare. Në vijim, organet e sigurimit francez arrestuan bashkëpunëtorët e ngushtë të Gërmenjit, drejtorin e Policisë Qamil Panaritin dhe komisarin Mehmet Pupe. Gjithsesi në krahinë vazhdoi të ngrihej flamuri shqiptar krahas atij francez, si edhe në shkollat që u hapën dhe vijuan me mësimdhënien. Në maj të vitit 1920, forcat franceze u larguan nga Korça, duke marrë fund kështu edhe krahina “autonome” e Korçës./ATA/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.